PSG-ja kërkon t’i rrëmbejë një tjetër as Barçës për 270 mln euro

09/07/2018 17:29

Paris Saint-Germain duket se ka vendosur të shqetësojë përsëri Barcelonën. Pasi bleu Neymarin vitin e kaluar, për 222 milionë euro, kampionët e Francës duket se do të tentojnë edhe blerjen e Philipe Coutinhos.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”, që është pranë Barcelonës, sipas së cilës PSG-ja i ka bërë një ofertë të drejtpërdrejtë futbollistit, e jo klubit, për shifrën e 270 milionë eurove, një lëvizje të cilën e bëri edhe vitin e kaluar me Neymarin.

Strategjia e Al-Khelaifit është që të sjellë në Paris mikun e Neymarit, në mënyrë që të bllokojë largimin e 25-vjeçarit nga transalpinët, ndoshta për në drejtim të Realit të Madridit. Ndërkohë, te Barcelona duket se janë të qetë në lidhje me të ardhmen e Coutinhos, të cilin e mori vetëm në muajin janar.

Gjithnjë sipas “El Mundo Deportivo”, klubi katalanas nuk ka ndërmend ta nxjerrë në shitje futbollistin brazilian, të cilin e konsideron si një prej elementëve më të rëndësishëm të projektit të saj për vitet e ardhshme.

Për më tepër, Barcelona ka si “armë mbrojtëse” klauzolën e kontratës së futbollistit prej 400 milionë eurosh, që do të thotë se klubet që do të dëshirojnë shërbimet e Coutinhos duhet të paguajnë pikërisht këtë shifër.

Top Channel