Dita e parë e çerekfinaleve pa të kualifikoheshin Franca dhe Belgjika, ndërsa Brazili dhe Uruguai, dy skuadrat e vetme jo europiane që kishin mbetur, u detyruan t’i japin lamtumirën këtij kompeticioni.

Sot do të jetë radha e 4 skuadrave të tjera, që do të zbresin në fushë për të siguruar avancimin për në gjysmëfinale dhe mbajtjen gjallë të ëndrrës për të ngritur trofeun.

Kështu në orën 16:00 Anglia do të përballet me Suedinë, skuadrën që është shndërruar në një “mace të zezë” të pretendentëve, pasi la jashtë botërorit Italinë e Holandën dhe eliminoi Gjermabninë e Zvicrën.

Skuadra e Southgate ka treguar se është shumë e pjekur dhe kompakte në këtë botëror, ndërsa anglezët besojnë më shumë se kurrë, që ky është viti i duhur për të rikthyer trofeun në shtëpi.

Në mbrëmje, në orën 20:00 do të jetë radha e vendit pritës, Rusisë, që të përballet me një nga skuadrat më në formë të këtij kompeticioni, Kroacinë e Zlatko Daliçit.

Vendasit do të bazohen edhe njëherë te entuziazmi, që është rritur ndjeshëm pas eliminimit të Spanjës, por edhe te mbështetja e madhe e tifozërisë në shkallët e stadiumit.

Nga ana tjetër, Kroacia beson te eksperienca dhe cilësia e lojtarëve që ka në organikë, shumica e të cilëve janë lidera në skuadrat më në zë të Europës.

Gjysmëfinalja e parë është ajo e përcaktuara dje, mes Belgjikës dhe Francës, ndërsa çifti tjetër i kësaj faze do të përcaktohet vetëm pasi të jetë mbyllur mbrëmja e sotme.

Top Channel