Një person është vënë në pranga ditën e sotme, pasi akuzohet për mashtrim, duke i marrë 3 personave 1 milionë euro.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë finalizuan me sukses operacionin “Lucia”, i cili vuri në pranga shtetasin Klodian Ciruna, 41 vjeç, banues në Tiranë (me precedent të mëparshëm penal për Mashtrim.

Sipas policisë, 41-vjeçari, iu ka marrë shtetasve P. K., L. D., dhe B. H., një shumë prej 1 milion euro, duke iu premtuar se do t’iu siguronte leje ndërtimi dhe për këtë gjë ai premtonte se operonte me një nga studiot e Avokatisë në Milano (duke dërguar e-maile false në emër të studios dhe personave të tjerë).

Në njoftim thuhet gjithashtu se, “për të kamufluar veprimet e tij dhe për të qenë më bindës, Ciruna ka bërë kontrata noteriale fiktive si dhe ka krijuar përkohësisht një kompani “Call Center” me aktivitet në fushën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri si dhe jashtë saj, të cilën më pas e ka mbyllur”.

Top Channel