Japonia mahniti në Botëror, trajneri ikën në fund të muajit

05/07/2018 12:58

Akira Nishino nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses japoneze. 63-vjeçari do të largohet nga posti i tij në fund të këtij muaji, për shkak se kontrata e tij me Federatën japoneze të Futbollit skadon.

Skuadra aziatike, pas eliminimit nga Botërori i Rusisë u prit me entuziazëm nga tifozët japonezë, pasi paraqitja e saj në këtë turne ishte vërtet për t’u admiruar.

Japonia u eliminua në 1/8-at e finaleve nga Belgjika, në një ndeshje ku ajo për pak sa nuk shkaktoi surprizën e radhës në Kupën e Botës, teksa kryesoi sfidën për pak kohë 2-0, me belgët që e përmbysën vetëm në sekondën e fundit rezultatin e takimit.

Nishino e mori drejtimin e Japonisë dy muaj përpara fillimit të Kupës së Botës, për të zëvendësuar Vahid Haliloviç. Ai e drejtoi Japoninë deri në 1/8-at e finaleve të një Botërori, rezultat që Japonia nuk e arrinte që nga viti 2010 në Afrikën e Jugut.

Pas largimit të Nishinos, Federata japoneze do të nisë kërkimet për një trajner me të cilin do të duhet të nënshkruajë për një afat të gjatë kohe.

Top Channel