“Sot Arta Marku duhet të ishte e shkarkuar nëse procesi i Vetting-ut nuk do të ishte i politizuar”.
Kështu u shpreh deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një dalje për mediat të mërkurën.
“Sot në krye të Prokurorisë është një person i paaftë profesionalisht, por që meritë të vetme ka besnikërinë ndaj kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. U konfirmua vegla e Edi Ramës në krye të Prokurorisë”, theksoi Alibeaj.
“PD e konsideron konfirmimin në detyrë të Arta Markut si lajm të keq për reformën në drejtësi”, shtoi deputeti demokrat.
Ashtu siç pritej, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka konfirmuar zonjën Arta Marku në detyrën e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme. Sipas KPK-së, Arta Marku rezultoi e pastër në tre shtyllat e Vetting-ut.
Edhe në dhënien e vendimit, Marku nuk ishte e pranishme në sallë, por u përfaqësua nga avokatja e saj.
Prokurorja e Përgjithshme, zonja Arta Marku nuk u paraqit dje në seancën dëgjimore të Vetting-ut. Mungesa e saj zhgënjeu jo vetëm trupën e Vetting-ut, por edhe përfaqësuesin e ONM-së, Teo Jacobs. Ai e komentoi këtë situatë si mungesë lidershipi nga ana e zonjës Arta Marku, pasi, sipas tij, lidershpi përbëhet jo vetëm nga autoriteti, por edhe nga llogaridhënia.
Top Channel