Telenovela më e mirë e 2017. Prej 16 korrikut në Top Channel nis seriali “Kandidatja”

02/07/2018 14:57

Kjo verë do të jetë e nxehtë në Top Channel me serialet më të zgjedhura.

Duke filluar nga premiera e filmit serial “Kandidatja”. Një melodramë politike e përzier me romancë, me regji të Juan Pablo Blanco, vendos në qendër Reginën, e cila, si shumë vajza të tjera lufton çdo ditë për mirëqënien e familjes së saj duke u perpjekur të mbajë në këmbë marrëdhënien e mbaruar me bashkëshortin si edhe duke u përballur me kokëfortësinë e mosbindjen e djalit të saj.

Por ndryshe nga gratë e tjera, e gjithë jeta e saj është më e thjeshtë, ndërsa është martuar me bashkiakun e qytetit dhe ndërkohë ajo vetë është një senatore e ndershme, e cila gjithmonë përpiqet për të mirën e të tjerëve.

E gjithë kjo rutinë e përditshmërisë së saj komplikohet kur bashkëshorti hyn në garën presidenciale dhe rival kryesor të tij ka ish-shokun e klasës së Reginës, me të cilin ajo ka pasur një histori dashurie.

Kur ajo pohon se jeta e saj pranë personit që ajo gjithmonë ka menduar se e donte dhe me të cilin ka një djalë, është larg nga pritshmëritë e saj dhe plot gënjeshtra dhe tradhëti, dilemat e zgjedhjes për të ardhmen shtohen.

A do të jetë ajo me të, apo do të vendosë të ndjekë dashurinë e hershme. Roli i saj do të jetë në mbështetje të partnerit apo do të luftojë për të realizuar ambicien e saj politike.

Lufta e saj nuk do të jetë vetëm politike, por një betejë për të ndryshuar fatin e saj dhe të vendit.

Me Silvia Navarro, Victor Gonzales e Rafael Sánchez Navarro, fituesja e çmimit si telenovela më e mirë për 2017, vjen premierë në ekranin e Top Channel prej 16 korrikut, nga e hëna në të shtunë, në orën 20:10.

Top Channel