Botërori i Rusisë rezultoi një dështim total për Spanjën, që ishte një prej pretendenteve për ta fituar atë. Aventura ruse nisi keq për “La Roja”-n, me shkarkimin e Lopeteguit dy ditë para fillimit të kompeticionit, dhe u mbyll me eliminimin nga Rusia në 1/8-at e finaleve.

Tani, drejtuesit e Federatës së vendin iberik kanë nisur kërkimet për trajnerin e ri të saj, që do të marrë vendin e Hierros, zëvendësuesit të Lopeteguit. Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, në “pole position” për të marrë drejtimin e skuadrës spanjolle është Quique Sanchez Florez, por edhe Luis Enrique duket se ka mundësitë e tij.

Quique Sanchez Flores është për momentin i lirë, pasi nuk ka marrë asnjë skuadër pas largimit nga Espanyol në muajin prill. Ai vlerësohet për eksperiencën e fituar prej tij në Spanjë dhe jashtë saj. Sipas “AS”, Sanchez Flores i ka aftësitë për të ndryshuar trendin e përfaqësueses dhe për të bërë ndryshimet për të cilat ka nevojë skuadra.

Për sa i përket Luis Enriques, ish-trajneri i Barcelonës e ka shfaqur në të kaluarën dëshirën për të drejtuar kombëtaren spanjolle. Por, ka edhe kandidatura të tjera që mund të marrin “frerët” e “La Roja”-s, siç janë Michel, Paco Jemez apo Quique Setien, ndërkohë që nuk duhen nënvlerësuar as kandidaturat e Rafael Benitez, Unay Emery, Marcelino apo Roberto Martinez, por këta të fundit janë në kontrata me skuadra të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA