242 vjetori i pavarësisë së SHBA u festua edhe në Tiranë, me një pritje organizuar nga ambasada amerikane dhe ambasadori Lu.
Vetëm dy javë përpara se të largohet nga Shqipëria, për të nisur detyrën e radhës, atë të ambasadorit në Republikën e Kirgistanit, Donald Lu mblodhi bashkë drejtuesit më të lartë të politikës, besimeve fetare, gazetarë e shoqëri civile, në një mbrëmje ku nuk munguan falenderimet.
“Meqë ky është koncerti im i fundit për Ditën e Pavarësisë me ju, më lejoni të them se ka qenë një nder shumë i madh që e kam bërë këtë udhëtim me ju”, tha Donald Lu.
Të pranishmit shijuan tingujt e muzikës blues, në koncertin e titulluar “Red, White and Blues”, si për të treguar patriotizmin e Shteteve të Bashkuara.
Eugent Bushpepaj, Kamela Islamaj dhe Anxhela Peristeri kënduan këngë të famshme amerikane nën tingujt e muzikës blues, xhaz, rock, swing, country dhe folk.
Banda performoi edhe dy himnet kombëtare, pas paraqitjes së flamujve nga trupa e marinsave të ambasadës.
Top Channel