Mesnatën e 30 qershorit, i ndjeri Shkëlzen Qordja, pasi ka lënë në shtëpitë përkatëse ministrin e Brendshëm dhe shoqëruesin e parë, ka ardhur në një nga lokalet e pedonales së bashku me dy shokë të tij, ku ka qëndruar në orët në vazhdim.
Rreth orës 5:00 të mëngjesit të datës 1 korrik, i ndjeri Qordja ka ardhur në ambientet e Gardës së bashku me mjetin e shërbimit. Pasi ka hyrë në ambientet e brendshme, ka parkuar mjetin në garazhin përkatës dhe më pas ka kryer aktin e vetëflijimit.
Trupi i tij i pajetë nuk është gjetur rastësisht. Shoqëruesit e ministrit të Brendshëm e kërkuan disa herë në celular për t’u përgatitur pasi do të lëviznin për të shoqëruar Xhafajn. Fakti që nuk kishin marrë përgjigje i ka shqetësuar punonjësit e eskortës, pasi një gjë e tillë nuk kishte ndodhur më parë dhe i ka detyruar që të lajmëronin Gardën e Republikës.
Gardistët e kanë kërkuar duke kontrolluar edhe garazhin ku ishte futur Qordja bashkë me mjetin dhe konstatuan se garazhi ishte mbyllur nga brenda me çelës. Pasi e hapën, konstatuan trupin e pajetë të 31-vjeçarit në timonin e një automjeti të gardes tip Hyundai si dhe armën automatike MP5 me të cilën u vetëvra.
Kjo ka qenë kronologjia e veprimeve të të ndjerit në orët e fundit të jetës së tij. Prokurorët po verifikojnë nëse i ndjeri u ka lënë ndonjë mesazh të afërmve para se të kryente veprimin. Dhe fakti që ai ka qëndruar përgjatë gjithë natës në një lokal nate dhe kishte konsumuar alkool deri në orët e para të mëngjesit, në një kohë kur e dinte se do të lëvizte në mëngjes sërish me shefin e tij, i shtyn hetuesit të dyshojnë se ai ndoshta e kishte planifikuar aktin e vetëflijimit.
Por, pavarësisht rindërtimit të kronologjisë së veprimeve, ajo që është edhe më kryesorja vazhdon të mbetet mister. Çfarë e ka shtyrë shoferin e ministrit të Brendshëm që t’i japë fund jetës në këtë mënyrë, në një kohë kur askush nga kolegët e punës që kalonte pjesën më të madhe të ditës, ashtu edhe familjarët nuk kishin kosntatuar ndonjë shqetësim.
Top Channel