Kalendari i FIFA-s në këtë botëror është ndarë në dy gjysma që do të projektojnë finalen e madhe, njëra anë e tabelës e vështirë por e pranueshme ndërsa tjetra një rrugëtim me kurthe fatale. Në këtë pjesë të programit ndodhet përfaqësuesja braziliane e cila përkundër skepticizmit dhe oshilacioneve, respektoi parashikimet dhe tani e sheh veten në çerekfinale. Viktima e parë në një përballje me eliminim direkt ishte Meksika.
Seleçao u impenjua në një Samba të vështirë në Kozmos Arena por ekzekutoi meksikanët 2-0 falë lojtarit që pritet më shumë, Neymar… Ai ishte iniciatori, por edhe finalizuesi i golit të parë të kombëtares karioka por merite pati edhe William për pasimin e fundit për Neymar duke ia bërë me të lehtë numrit 10.
Faulli… Neymar ndoshta do të kandidohet edhe për një vend në çmimet Oscar pas skenës në minutën e 72. Sigurisht që e shkelën dhe sigurisht që Lajun ndoshta duhej të kishte patur më shumë kujdes. Por reagimi i ekzagjeruar i sulmuesit të Brazilit la gojëhapur edhe vetëm pankinën e Seleçaos. Arbitri Roki dhe sistemi VAR, logjikshëm nuk ndërhynë.
Meksika nuk kishte fituar asnjëherë një ndeshje me eliminim direkt, kur kishte pësuar gol e para, dhe këtë radhë nuk shkoi ndryshe. Pavarësisht ndërhyrjeve të portierit Oçoa në një reminishencë të përballjes mes dy ekipeve 4 vjet më parë në Fortaleza, Brazili mbeti padron i fushës. Pjesë e parë shumë teknike, por në të dytën dolën në pah lojtarët.
41 mijë e 970 tifozë të pranishëm në stadiumin e Samara admiruan golin e Firminos vetëm 2 minuta pasi sulmuesi i Liverpulit kishte prekur tapetin e blertë. Neymar kërkoi të godasë, por tentativa e tij e devijuar u kthye në një asist të cilin Firmino pati vetëm detyrën ta çonte lehtësisht në rrjetë. Brazili bëhet skuadra që ka shënuar më shumë gola në një kupë bote, plot 228, por jo vetëm kaq. Seleçao e trajnerit Tite mbetet tani përfaqësuesja më e kuotuar për të fituar turneun edhe pse ka ende rrugë deri në finalen e Moskës. Për tifozët brazilianë, disfata më e sikletshme në histori, 7-1 në vendlindje ndaj Gjermanisë në edicionin e kaluar tani është vite dritë larg.
Një tjetër pikë force e këtij Brazili është trajneri. Me Titen në stol në 25 ndeshje janë pësuar vetëm 6 gola. Kur kombinon këtë aftësi mbrojtëse me arsenalin që ofron sulmi, edhe për tifozët më skeptikë, titulli i gjashtë kampion bote, nuk është iluzion.
Top Channel