Faza e 1/8-ave të finaleve do të shohë në fushën e lojës Brazilin e Belgjikën.

Skuadra e Tites, që në këtë moment është favoritja kryesore për të fituar turneun, bashkë me Francën, do të zbresë në fushën e lojës në orën 16:00 për të luajtur sfidën me Meksikën, duke kërkuar ta mundë atë në mënyrë që të përvijojë rrugëtimin drejt titullit të gjashtë.

Brazili e Meksika janë përballur 40 herë mes tyre, e padyshim që bilanci anon nga ekipi 5 herë kampion i botës, me 23 fitore kundrejt 10 të meksikanve, ndërsa 3 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Në Botërorë, kjo do të jetë sfida e pestë mes Brazilit e Meksikës. Në 4 përballjet e para, amerikano-latinët kanë 3 fitore, ndërkohë që një ndeshje ka përfunduar në barazim.

Në orën 20:00 do të jetë radha e Belgjikës që të luajë ndeshjen e saj, atë me Japoninë. Skuadra e Martinezit e mbylli grupin G me 9 pikë të plota, e në këtë sfidë do të kërkojë konfirmimin e saj, pas çerekfinaleve të arritura në Botërorin 2014 dhe Euro 2016.

Japonia, nga ana e saj, u rendit e dyta në grupin H dhe u kualifikua për në 1/8-at e finaleve falë rregullit të “Fair Play”-t, që FIFA vendosi për edicionin e Kupës së Botës së këtij viti.

Japonia, që e ka arritur fazën e 1/8-ave të finaleve të një Botërori edhe në vitet 2002 dhe 2010, këtë vit do të kërkojë të bëjë historinë dhe të kalojë në çerekfinale. Belgjika dhe Japonia janë ndeshur vetëm nje herë mes tyre nëpër Botërorë, në fazën e grupeve të turneut në vitin 2002, sfidë që përfundoi në barazim 2-2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA