Spanjolli Francisco Lopez pretendon se është ai i pari që ka hedhur idenë e futjes së përsëritjes së aksioneve live gjatë ndeshjeve, që zyrtarisht është quajtur sistemi VAR (Video Assistant Referee) gjatë Botërorit 2018.
Ai pretendon të padisë FIFA-n për këtë “vjedhje” dhe kërkon të marrë një dëmshpërblim prej 15 milionë Eurosh. Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Lopez e ka çuar për herë të parë këtë ide në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës në Spanjë që në vitin 1999, ku i sugjeronte që të përdorej përsëritja e pamjeve në TV në një qendër kontrolli që të kishte komunikim me gjyqtarin e ndeshjes.
“Ajo që unë imagjinoja atëherë është pikërisht kjo teknologji që po përdoret sot. Është e njëjta gjë që unë kam thënë se duhet të bëhet që në vitin 1999, përfshi edhe grupin e personave që shohin ndeshjen përmes TV dhe i sugjerojnë arbitrit kryesor se çfarë të bëjë. Në atë kohë nuk doja asgjë, por tani shoh që FIFA po e përdor këtë në interes të vet”, tha Lopez për “Marca”.
Ai i ka dërguar një kërkesë Federatës Spanjolle të Futbollit dhe FIFA-s duke i kërkuar që të mos e përdorë këtë sistem. Kjo është hera e parë që sistemi VAR përdoret në një turne të rëndësishëm kombëtar dhe deri tani ka marrë vlerësime pozitive, pasi ndihmon gjyqtarët që të japin një vendim sa më të drejtë për një aksion.
Top Channel