Vlora nuk është vetëm plazh, por edhe mal. Udhëtimet në malet e thepisura, pyjet dhe shkëmbinjtë e zonës janë një tërheqje shumë e madhe për turistët.
Llogoraja është destinacioni i preferuar i tyre. Kamera e Top Channel ndoqi një grup turistësh, të cilët edhe pse në moshë të thyer, udhëtimet në natyrë i kanë pasion.
Pasi kanë shijuar mëngjesin me ushqimet bio që të ofron kjo zonë, ata marrin pajisjet e alpinizmit për të ecur përgjatë Karaburunit. Një vend malor shumë i thepisur për këto mosha. Por, për ata kjo është një kënaqësi që rrallë vjen, pasi në këtë zonë është shumë bukur.
Pati gjermanë e italianë, të cilët nuk e kishin për të parën herë eksplorimin e zonën së Llogorasë. Një 83-vjeçare tregon se po ecën në gjurmët e babait të saj, që në Luftën e Dytë Botërore ka qenë mjek ushtarak në këto anë.
Pas ngjitjes në Karaburun, edhe pse koha nuk ishte e mirë, të apasionuarit pas “hiking”-ut nuk tërhiqen. Në fundjavë ata do të shkojnë drejt malit të Çikës.
Top Channel