Një edicion i shkurtër informativ në faqen e Web-it, me zhvillimet e deritanishme nga Rusia 2018.

BOTËRORI, NIS SOT FAZA E 1/8-AVE TË FINALEVE
Nisin sot ndeshjet e 1/8-ave të finaleve të Botërorit të Rusisë. Në orën 16:00 do të luhet ndeshja mes Francës e Argjentinës, ndërsa në 20:00 do të luhet sfida mes Uruguajit e Portugalisë.

FIFA, E KËNAQUR NGA SISTEMI VAR
Sipas FIFA-s, sistemi “VAR” ka funksionuar shumë mirë. Shefi i arbitrave në këtë institucion, Pierluigi Collina deklaroi se arbitrat, me këtë sistem janë treguar të saktë në 99.3% të episodeve në ndeshjet e kompeticionit.

“OLE” I PËRGJIGJET “L’EQUIPE”: MESSI DO TË KALOJË
E përditshmja argjentinase “Ole” i përgjigjet asaj franceze “L’Equipe” në prag të ndeshjes mes Francës dhe Argjentinës. Prestigjiozja transalpine shkruante se Argjentina nuk do të kualifikohet, ndërsa përgjigjja e “Ole” ishte: Do të kalojë.

BOTERORI 2018, GOLAT VIJNË NGA…LA LIGA
Dueli Real Madrid-Barcelona vijon edhe në Botërorin e Rusisë. Janë pikërisht lojtarët e këtyre skuadrave që kanë shënuar 18 gola. Në total, është La Liga që dominon për sa u përket golave, me 31 finalizime.

BESIMI I FERNANDO SANTOS: KALOJMË NE
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos shfaqet optimist në prag të ndeshjes me Uruguajin për 1/8-at e finaleve të Botërorit. “Me gjithë respektin për Uruguajin, them se do të fitojmë ne”, u shpreh trajneri i kampionëve të Europës.

Top Channel