Në Kazan dhe Sochi nis nga kjo e shtunë faza me eliminim të drejtpërdrejtë e Botërorit të Rusisë, qytete në të cilat do të zhvillohen dy ndeshjet e para të 1/8-ave të finaleve.

Në orën 16:00 do të jetë fillimisht përballja mes dy emrave të mëdhenj, Francës dhe Argjentinës. Kjo e sotmja do të jetë përballja e 12 mes këtyre dy skuadrave në historinë e tyre, e bilanci anon nga skuadra amerikano-latine, që ka 6 fitore kundrejt dy të francezëve, ndërkohë që 3 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Por, është pikërisht Franca që konsiderohet pretendente për këtë sfidë. Skuadra e Deschamps doli fituese në grupin e saj, duke mundur Australinë e Perunë me rezultate të ngushta, për të barazuar më pas me Danimarkën.

Argjentina, nga ana e saj, u lodh jo pak për t’u kualifikuar. Formacioni “Albiceleste” barazoi me Islandën 1-1, humbi me Kroacinë 3-0 dhe mundi me vështirësi Nigerinë 2-1.

Gjithsesi, mbrëmja “magjike” do të ketë tjetër protagonist. Në orën 20:00 do të jetë radha e Uruguajit dhe Portugalisë, që do të luajnë për të siguruar një vend në çerekfinalet e turneut.

Uruguaji i fitoi të gjitha ndeshjet e tij në grup dhe është i vetmi ekip që nuk ka pësuar asnjë gol në përfundim të fazës së grupeve, në këtë Botëror.

Në krahun tjetër, Portugalia u rendit e dyta në grupin B, pas Spanjës. “Luzitanët” barazuan 3-3 në derbin iberik me spanjollët, mundën Marokun 1-0 dhe barazuan me Iranin 1-1.

Santos, për këtë ndeshje duket se do të konfirmojë praninë e Guedes përkrah Ronaldos, me Quarezmën, Carvalhon , Adrien Silvën e Joao Marion në mesfushë. Ndërsa tek Uruguaji, Tabarez sigurisht që do të besojë te binomi Suarez-Cavani në sulm, si dhe te Laxalt në mesfushë.

Top Channel