I kritikuar së fundmi për faktin se kërkon një teatër të ri, Artisti i Popullit Robert Ndrenika ka reaguar këtë të shtunë përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku kërkon të sqarojë pozicionin e tij.
Me lutjen “për të mos e kryqëzuar” pse kërkon një teatër të ri, aktori i njohur i skenës shqiptare shpjegon se ky ka qenë mendimi i tij që në fillim të debatit, ndërsa thekson se meraku i vetëm që ka pasur ka qenë ai i mostjetërsimit të pronës së teatrit.
“Le ta dijë dhe ‘tan bota mbarë’! Kam qenë (prej vitesh) dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor, të cilin e ka për Detyrë ta bëjë shteti shqiptar (paratë le t’i marrë ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Broz Tito)! Këtë gjë nuk e kam mbajtur të fshehtë, por ua kam bërë të ditur prej kohësh kolegëve të mi, por kur ka qenë rasti dhe në opinionin publik”, shkruan Robert Ndrenika.
“I vetmi lëshim që kam bërë ditët e fundit është se kam pranuar PPP-në, me kushtin e vetëm që përveç godinës (teatër) që do të ndërtohet në favor të PPP-së, nuk do të lëshohet asnjë centimetër katror nga TOKA e TEATRIT KOMBËTAR!”, vijon më tej statusi i aktorit të mirënjohur.
Ndërsa, atyre që i thonë se e kanë gënjyer, Artisti i Popullit iu përgjigjet: Po besa e shqiptarit ku vete?
“Ju bëj të ditur se nuk jam JEZU KRISHTI, madje as BARRABA, dhe gojën nuk e kam vetëm për të ngrënë kos (pa yndyrë) dhe të pi ilaçe, por e kam edhe për të FOLUR!”, mbyll reagimin e tij Robert Ndrenika.
Top Channel