Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e konsideron vendimin e BE-së për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë në vitin 2019, si stimul për të vazhduar me impenjim reformat.
Ky ishte një hap i rëndësishëm për shefin e diplomacisë gjermane, që i tha “Deutsche Welle”-s se, Berlini është angazhuar shumë për këtë sinjal të fortë dhe udhërrëfyes, përmes të cilit vlerësohen arritjet e reformave në vitet e fundit.
“Procesi i negociatave në Bruksel nuk ka qenë gjithmonë i lehtë, – kujton ai. – Por, ne jemi të gëzuar që në fund u bë i mundur një kompromis i të 28-a vendeve anëtare të bllokut europian. U bëj thirrje politikanëve në Tiranë dhe në Shkup, që këtë sukses ta vlerësojnë si një stimul për të vazhduar rrugën e reformave”, u shpreh Maas, duke u kujdesur të theksojë se Gjermania do të ofrojë fuqimisht mbështetje në këtë drejtim.
Një mesazh të ngjashëm përcolli një ditë më parë edhe ministri gjerman për Çështjet e Europës, Michael Roth, i cili e deklaroi qartë se BE-ja nuk bën pazare me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
“Të dyja këto vende kanë arritur shumë, por mbetet ende punë për të bërë, – ishte komenti i tij, – dhe ura që ndërtuam tani duhet të jetë mjaft solide, që në fund të qershorit të vitit të ardhshëm ato ta kalojnë këtë urë drejt negociatave të anëtarësimit për në BE”.
Top Channel