Policët dhe zjarrfikësit kanë punuar gjatë për të hequr hekurat e shtrembëruar të makinës, brenda së cilës kishte mbetur i bllokuar dhe i plagosur një i ri. Makina e tij u përfshi në një aksident në rrugën dytësore Plepa-Golem.
Fatmirësisht i riu shpëtoi nga aksidenti. Makina e tij është përplasur fillimisht me autobusin e linjës Golem-Durrës, e pasi drejtuesi ka humbur kontrollin është përplasur me bordurën dhe kthyer 360 gradë në kahun tjetër të lëvizjes.
Pas kësaj, ai është përplasur me një tjetër automjet tip Ford, duke ngecur mes autobusit të udhëtarëve dhe mjetit tjetër. I tronditur, drejtuesi i mjetit tjetër që u përfshi në këtë aksident rrugor dhe që shpëtoi pa dëmtime, falë hapjes së jastëkëve të ajrit dhe shpejtësisë normale me të cilën po lëvizte, tregon:
“Mjeti po ecte për në Golem, autobusi nga kahu i kundërt. U përplas me autobusin, më pas me bordurën dhe u kthye i ra makinës tjetër që kisha unë pas. Mjeti po ecte në drejtim të kundërt”, thotë ai.
E lënduar mbeti edhe një grua, pasagjere në autobusin e transportit publik, ndërsa rruga u bllokua për një kohë të gjatë.
Top Channel