“Fiks Fare” denoncoi mungesën e infrastrukturës rrugore në fshatin Konesbaltë, në Urën Vajgurore.

Megjithëse është në mes të guroreve, shteti, por edhe firmat private, nuk kanë bërë asnjë investim, madje kanë shkatërruar kilometra të tëra me rrugë. Banorët e fshatit me 800 banorë u ankuan në “Fiks Fare” se rruga po bën në këtë gjendje prej 30 vitesh dhe gjatë kësaj kohe, të gjithë kanë premtuar bërjen e saj. Por, rezultati është i njëjtë: rruga është me gropa, në dimër mbushet me ujë, ndërsa në verë pluhur!

Banorët thonë se ata janë një fshat i majtë, kanë votuar PS-në. “Kjo rrugë është vetëm 3 kilometra dhe nuk e bën askush. Vetëm na gënjejnë. Kemi shkuar disa herë në Bashkinë Ura Vajgurore dha na thonë s’kemi fonde. Kur të na sjellin fonde nga lart. Ne presim me padurim kur të na bëhet. S’na kanë bërë asnjë gjë”, pohojnë banorët.

Ndërkohë, një banor tjetër pohon se në fshat nuk ka as gjelbërim, rrugë apo kanalizime. Ndërkohë, banorët paguajnë rregullisht taksa. Megjithatë, problematika më e madhe janë guroret që veprojnë në fshat. “Janë mbi 6 gurore. Shfrytëzojnë malet pa kriter. Shtëpitë janë krisur. Ndotin ambientin”, thotë një banor.

Ai pohon se moratoriumi i ndaloi njerëzit për të prerë pyjet. “Në rregull. Por firmat presin 200 pisha dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Ne jemi të shqetësuar për guroret, ato duhet të shporren ose të bëjnë rrugë, të punojnë me kriter. Të mos bëjnë plasje të mëdha, pasi tronditet i gjithë fshati”, thotë një banor tjetër.

Fiksi shkoi në Bashkinë Ura Vajgurore, ku bisedoi me Valentina Jançen, specialiste në urbanistikë. Ajo tha se ankesa e banorëve është e drejtë, pasi rruga është në gjendje të keqe. “Ne kemi aplikuar në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i jemi drejtuar në çdo thirrje. S’është vetëm problemi i rrugës, por edhe i kanalizimeve. Vlera e rrugës nuk mbulohet dot nga buxheti i bashkisë, pasi të dyja bashkë shkojnë një vlerë akoma më të madhe. Rruga kushton 175 milionë, ndërsa kanalizimet 51 milionë të reja”, shprehet ajo, ndërsa shton se bashkia vetëm sa ka mbushur disa gropa.

Fiksi pyeti edhe specialisten e mjedisit, Adela Allajbeu, për ndotjen nga guroret. Ajo thotë se “në territorin e bashkisë janë 9 gurore”. Sipas saj, të 9 subjekte kanë leje mjedisore dhe dërgojnë në bashki raporte vetë monitorimi për ndotjen mjedisore. Allajbeu thotë se bashkia nuk ka kompetenca të mëdha ligjore për ndëshkimin e subjekteve, pasi gjoba është vetëm 5 mijë lekë të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA