Disa orë pas takimit të kryebashkiakut Erion Veliaj me 3 artistët, kërkesat e tyre janë pasqyruar në projektligjin e ri për godinën e Teatrit Kombëtar, të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Teatri, sipas projektligjit do të ndërtohet me partneritet publik-privat. Ai parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm negociator për hartimin e projektit, pjesë e të cilit do të jenë edhe dy përfaqësues të komunitetit teatror.
“Askush nuk beson në mënyrë absolute. Besohet për aq sa arrihet konkretisht. Ajo është e shkruar në letër, që territori i Teatrit Kombëtar nuk cënohet në asnjë centimetër, gjë që s’ishte e shkruar. Pasi u arrit pika e parë, që territori nuk cënohet, tani vijnë pikat e tjera si konkursi ndërkombëtar”, thotë Alfred Trebicka, aktor.
Pjesë e marrëveshjes me Veliajn ishte edhe regjisori Altin Basha. Në një intervistë për Top Channel, akuzave të kolegëve artistë, ai ju përgjigj:
“Kam shkuar në atë tavolinë me besën e Aleancës, me miratimin dhe kërkesën e tyre. Që nga tavolina e parë, në të dytën, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit bëri një ndryshim radikal në qëndrim. Në takimin e parë tha se ishte pro dialogut dhe vazhdimit të tryezave, ndërsa në takimin e dytë nuk mori pjesë”.
Por, nga ana tjetër, rezistencë shfaq ende komuniteti teatror i Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE). Në një mbledhje urgjente, ata vendosën të vazhdojnë të mbrojnë godinën aktuale të Teatrit Kombëtar.
“U vendos që do të luftohet për një teatër të ri diku tjetër dhe rikonstruksionin apo rindërtimin e këtij teatri këtu, në këtë sipërfaqe që është, duke përfshirë pjesën e brendshme të oborrit të teatrit dhe sipërfaqet e tjera publike, pjesë e kompleksit teatror tani”, deklaroi Alert Çeloaliaj, kryetar i SASE.
Top Channel