Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 të arrestuarit e 3.4 milionë eurove, të zbuluara në dy automjetet “Toyota Yaris”, gjatë së dielës së kaluar në Portin detar të Durrësit.

Nga ana tjetër, trupa gjyqësore ka shpallur moskompetencën për çështjen, duke vendosur dërgimin e akteve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, si gjykata kompetente për shqyrtimin e rastit.

Seancat e vlerësimit të masave të sigurisë për shtetasit Edi Lika, Klevi Lika, Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, u zhvilluan me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurores Ornela Rrumbullaku, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Pavarësisht kësaj, dosja e saj hetimore ishte publikuar më parë në media.

Avokati Saimir Vishaj, që mbronte në seancë Edi dhe Klevi Likën, babë e bir, deklaroi se 4 të arrestuarit janë viktima, ndërsa Prokuroria rëndoi gjendjen e tyre përmes dy akuzave të reja, atë të “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

“Mua m’u duk e çuditshme një seancë e tillë, ku ndryshe nga se u arrestuan në datën 25 qershor për kundërvajtje penale që ka të bëjë me mosdeklarimin e të hollave në kufi, u shtua edhe një akuzë tjetër si “pastrimi i produkteve të veprës penale”, por deri në këto momente edhe organi i akuzës është konfuz”, tha Saimir Vishaj, avokat.

Në seancat gjyqësore ishte i pranishëm i ati i Edi Likës dhe dy familjarë të shoferit të trajlerit, Agim Çeka. Mes lotësh, familjarët e Çekës u shprehën se nuk janë në gjendje të mirë ekonomike familjarisht, ndërsa i dyshuari kishte vetëm pak muaj që kishte nisur punë pranë subjektit të Edi Likës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA