“Eliminimi i trafikimit të qenieve njerëzore, Shqipëria nuk përmbush standardet minimale”

28/06/2018 21:10

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) publikoi raportin e vitit 2018 për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e dytë, ku janë përfshirë vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur ato.

Raporti vë në dukje se janë disa sektorë kyç për të cilat qeveria nuk i ka plotësuar standartet minimale, si ndëshkimi i viktimave të trafikimit për shkeje ligjore apo ndjekja penale e disa trafikantëve nën akuza më të lehta, siç është ajo për shfrytëzim prostitucioni.

Raporti kritikon vonesat në financimin e strehëve të sigurta të drejtuara nga OJQ-të si dhe hetimet e ndjekjet penale nuk janë bërë vazhdimisht, duke u nisur nga parimi që në qendër të tyre të jetë viktima. Sikurse është thënë në raportet për Trafikimin e Qenieve Njerëzore që nga viti 2014, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar, sidomos gjatë sezonit turistik, thuhet në raport. Fëmijët shfrytëzohen si lypës dhe për punë tregtie, si shitës ambulantë.

Raporti i rekomandon Shqipërisë që t’i përjashtojë viktimat nga ndëshkimi për shkelje ligjore, kur shkeljet janë rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit, sidomos për viktimat e trafikut seksual, të cilat shfrytëzohen për prostitucion. Të vazhdojë të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e implikuar në trafikim, si dhe të trajnojë organet ligjzbatuese që të jenë sa më të afta në këtë kuadër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA