Një grup prej 65 artistësh kanë nënshkruar një letër të hapur dërguar krerëve më të lartë shtetërorë, ku shprehin dakordësinë dhe nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.
Nga regjisori i madh Pirro Mani, aktorët Viktor Zhusti, Luftar Paja, Gëzim Kame, Pëllumb Kulla, Eva Alikaj, Spiro Duni, Armando Bora etj, kanë nënshkruar letrën dërguar krerëve më të lartë shtetërorë, Presidentit të Republikës, Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministrit, Edi Rama, kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.
Ata shprehin vullnetin dhe njëkohësisht edhe kërkesën, në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, për përfshirjen e tyre në mënyrë të domosdoshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e projektit të ri, ndërsa parashtrojnë se prona që zotëron Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet ekskluzivisht për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos e cenuar dhe duke mos lejuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone.
Gjithashtu ata vlerësojnë se koha e diskutimeve ka mbaruar dhe se tashmë duhet një vendimarrje sa më e shpejtë, në mënyrë që teatri i ri të ndërtohet sa më parë. “Prej momentit kur mendimi i ekspertizës institucionale që ka lidhje me arkitekturën, inxhinierinë e ndërtimit, zjarrfikësit etj, është shprehur në formë të qartë në lidhje me këtë çështje, çdo ditë që kalon është thjesht humbje kohë me debate të cilat mund t’i shërbejnë kujtdo, por jo interesave të publikut dhe Teatrit Kombëtar”, thuhet në letrën e hapur të artistëve.
Top Channel