“Euractiv” e përshkruan si kompromis të dhimbshëm vendimin e Bashkimit Europian për të çelur vitin e ardhshëm negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, nëse përmbushen kushte të caktuara.
“Vendet anëtare, – thuhej në njoftimin e Presidencës bullgare në Tëitter, – u hapën rrugën bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto shtete qershorin e vitit 2019, pas 10 orësh debati”.
Ministri austriak i Çështjeve Europiane, Gernot Bluemel thotë se i ka kërkuar Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të bllokut, që të përgatisë terrenin për nisjen e negociatave, por me kushtin që të zbatohen më parë disa kritere.
Progresi duhet të përfshijë rezultate të mëtejshme të prekshme e të qëndrueshme lidhur me reformat e gjyqësorit, shërbimeve të sigurisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit.
Austria është ajo që do të marrë Presidencën e radhës së BE-së në korrik, ndaj duket u tregua dhe kaq aktive në këtë situatë. Rezultati befasues, pavarësisht mbështetjes së gjerë të Bashkimit Europian, tregoi se peshën kryesore në dokumentin përfundimtar të këtij takimi e ka pasur pikërisht vendosmëria e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ta shtyrë një vendim mbi çështjen deri pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian të muajit maj, nga frika e rritjes së ndjenjave “antiestablishment”.
Nga ana tjetër, ai tregon edhe një lloj synimi për të frenuar hovin e Gjermanisë dhe shefit ekzekutiv të BE-së, Jean-Claude Juncker, të cilët kanë kërkuar ta mbajnë Ballkanin Perëndimor jashtë ndikimit të Rusisë, duke iu ofruar të 6 vendeve të tij një rrugë të sigurtë drejt anëtarësimit europian.
Rezervat e shprehura nga Franca dhe Holanda në Luksemburg ishin të qarta. Marrëveshjen për çeljen e bisedimeve e ka negociuar – sipas “Euractiv”, – ministri i Jashtëm i Luksembugut, Jean Asselborn.
Johannes Hahn shkruante në “Tëitter” se vendimi i marrë atje do të ishte thelbësor edhe për vet besueshmërinë e BE-së. Me këtë “po” të paplotë, Brukseli kërkon praktikisht t’i shpërblejë të dyja vendet për progresin e shënuar dhe t’i nxisë që të vazhdojnë rrugën e reformave.
Top Channel