Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli pretencën dhe kërkoi dënimin e 9 të dyshuarve si trafikantë droge me 131 vite burgim në total. Të gjithë të akuzuarit përfaqësojnë një rrjet të trafikut të heroinës, e cila vinte nga Turqia dhe hynte në Ballkan përmes Kosovës, për t’u shpërndarë më pas nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Dy biznesmenët Jurgen Molla dhe Anesti Koromani, të dyshuar si financuesit e këtij rrjeti, mungonin gjatë pretencës së prokurorit Eugen Beci. Për Jurgen Mollën, i njohur në fushën e ndërtimeve, Akuza kërkoi 17 vite burgim, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij 15 vite heqje lirie.
Për ta, prokurori kërkoi shpalljen fajtorë për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukuruar kriminal. Në procesin, për të cilin të akuzuarit do të përfitojnë gjykimin e shkurtuar, ishin të pranishëm vetëm dy shtetasit turq, Abubekir Tuncdemir dhe Enver Kurtulus.
Ata e dëgjuan qëndrimin e prokurorit përmes përkthyeses zyrtare të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Roli i dy turqve, për të cilët u kërkuan 29 vite burgim në total, ishte sigurimi i heroinës dhe dorëzimi i ngarkesës.
Sipas hetimeve të zgjeruara dhe që kanë angazhuar në atë kohë edhe DEA-n amerikane, heroina dorëzohej në Kosovë. Në disa episode, edhe te disa persona të tjerë shqiptarë e të huaj, të cilët janë arrestuar më herët në operacione antidrogë në Greqi, Maqedoni e Kosovë.
Siç thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda, në një nga rastet droga i dorëzohet me valixhe transportuesit Arben Prendi, edhe ky i arrestuar nga forcat ligjzbatuese.
Në total në Ballkan, për këtë rrjet janë arrestuar në kohë të ndryshme 30 persona, ndërkohë që për hetimin e drejtuar nga prokurori Eugen Beci janë kryer dhjetëra orë vëzhgime policore dhe janë mbushur 189 CD me përgjime.
Edhe pse trafikantët porosisnin njëri-tjetrin “të kishin kujdes, se edhe muret kanë veshë”, ata gjithsesi flasin në telefon dhe me mesazhe, duke kërkuar në një moment, në mënyrë të koduar, jo heroinë por beton.
Top Channel