Qeveria franceze ka prezantuar planet për rikthimin e shërbimit kombëtar për të gjithë 16-vjeçarët. Këtë ide, presidenti Emmanuel Macron e kishte shpërfaqur edhe gjatë fushatës, me argumentin për të promovuar ndjenjat e shërbimit qytetar dhe unitetit kombëtar mes të rinjve francezë.

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur për përfitimet e rikthimit të tij. Shërbimi i ri kombëtar do të përfshijë të gjithë 16-vjeçarët, vajza e djem, e do të ndahet në dy faza të ndryshme.

Faza e parë ka të bëjë vendosjen njëmujore të tyre në një vend të caktuar, me në fokus kulturën qytetare, që sipas qeverisë “do t’u mundësojë të rinjve të krijojnë marrëdhënie të reja dhe të zhvillojnë rolet e tyre në shoqëri”.

Mësimdhënie vullnetare dhe punë në krah të shoqatave bamirëse janë mes opsioneve që po merren në konsideratë, së bashku me përgatitjet tradicionale ushtarake me policinë, zjarrfikësit apo ushtrinë.

Faza e dytë është vajtja vullnetarisht për një periudhë nga 3 muaj deri në një vit, në të cilin të rinjtë do të inkurajohen të shërbejnë “në një fushë të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë”, por sërish ata mund të zgjedhin të kryejnë punë vullnetare të lidhur me trashëgiminë, mjedisin apo kujdesin social.

Faktikisht nuk duket identik si programi që mund të ketë pasur në mendje Macron. Kur ai e hodhi për herë të parë si ide, gjatë garës presidenciale të vitit 2017, kjo konsiderohej si një lloj shërbimi ushtarak në miniaturë, me të gjithë qytetarët francezë të detyruar të kishin “eksperienca të drejtpërdrejta të jetës ushtarake” për të paktën një muaj, për të rinjtë e grupmoshës 18-21 vjeç.

Kjo tashmë është lehtësuar dhe zgjeruar në atë që po merr emrin “Shërbimi Kombëtar Universal”, pjesërisht për shkak të shqetësimeve se mund të kushtojë së tepërmi dhe të mbingarkojë forcat e armatosura të vendit. Edhe në këtë formë aktuale, programi përllogaritet të kushtojë rreth 1.6 miliardë euro në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA