Një rezultat tronditës në shtator të vitit 2017 do të trondiste thellë themelet e Universitetit të Tiranës, i cili u vlerësua nga agjencia britanike me vetëm një vit akreditim institucional.
Vlerësimi më i dobët i të gjitha kohërave ngriti një pikëpyetje të madhe mbi cilësinë e Universitetit të Tiranës dhe diplomave që lëshohen prej tij. Kjo, një arsye për të krijuar jo pak panik te studentët në prag diplomimi, apo veçanërisht në një periudhë si kjo, kur maturantët do të aplikojnë në gusht për të ndjekur studimet e larta në një prej fakulteteve të UT-së.
Drejtuesit më të lartë të universitetit thonë se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Por, përtej këtij argumenti, e vërteta është se në Universitetin e Tiranës problematikat janë thelluar edhe më shumë, një fakt që e pohojnë edhe vet dekanët e fakulteteve, të cilët përmes një shkrese që Top Channel e transmetoi disa ditë më parë, i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit, së cilës i kërkojnë të zbardhë menjëherë raportin përfundimtar të shkeljeve administrative dhe financiare të kreut të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, një arsye pse ata mendojnë se UT-ja është në kaos dhe pse mund të rrezikohet riakreditimi në muajin gusht.
Në mungesë të kësaj përgjigjeje, Top Channel kontaktoi Ministrinë e Arsimit, të cilës i kërkoi informacion se përse nuk është zbardhuer ende raporti mbi veprimtarinë e funksionimit të UT-së. Por, ajo thotë se nuk është e detyruar t’i përgjigjet medies për informacione të tilla zyrtare. Por përse hesht Ministria e Arsimit? A është edhe ajo përgjegjëse për kaosin e krijuar në Universitetin e Tiranës?
Top Channel