Ashtu siç bëri me ligjin e gjuhëve, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov shkakton sërish polemika e tension me refuzimin për të firmosur marrëveshjen historike me Greqinë, që mbylli më në fund pas gati tri dekadash sherrin e vjetër të emrit, i cili po kthehej gati në një nyje gordiane.
“Në zbatimin e funksionit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë, unë veproj gjithmonë me përgjegjësi. Të drejtat e mia dhe detyrimet i kryej brenda kornizave të Kushtetutës, ligjeve dhe interesave të Republikës së Maqedonisë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin me shkrim të Presidencës.
Deklarata numëron 5 arsye përse Ivanovi nuk pranon t’i vërë firmën e tij ligjit për marrëveshjen me vendin fqinj.
Arsyet nisin me një justifikim. “Nuk kam mandat ta nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikim të kësaj marrëveshjeje”, thotë Ivanov.
Arsyeja e dytë, në logjikën e kreut të shtetit maqedonas është se, “ujdia del jashtë kornizave të rezolutave 817 dhe 845 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Më tej thuhet se, ajo “nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është e ratifikuar në pajtueshmëri me Kushtetutën”.
“Ligji për ratifikimin e paktit nuk respekton tri nene të dokumentit themeltar”, e në fund, “marrëveshja e vendos në gjendje të nënshtrimit dhe varësisë nga shtete të tjera, konkretisht të Greqisë”.
Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras e nënshkruan më 17 qershor ujdinë, që përveçse zgjidh një ngërç të madh, i hap Maqedonisë rrugën e anëtarësimit euroatlantik.
Sipas Kushtetutës, në rastin e një vetoje të presidentit, ligji rikthehet sërish në Kuvend, ku këtë herë duhet votuar me shumicë absolute, e në fund shkon sërish në Presidencë, këtë herë në formën detyruese të nënshkrimit.
Top Channel