Bashkimi Europian do të hapë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, në varësi të progresit të shënuar, vitin e ardhshëm.

Ky është rezultati i dokumentit të kompromisit të rakorduar mes shumicës dërrmuese të vendeve të BE-së, që ishin të gatshme për hapjen e menjëhershme të negociatave, si dhe Francës, Danimarkës e Holandës, që kërkonin shtyrjen e tyre pa afat.

Një “po” dhe një “jo” të paplota, në varësi të progresit në refomat kyçe, që Shqipëria do të arrijë deri në qershor të vitit 2019.

Ministrat e Jashtëm të BE-së, të mbledhur në Luksemburg, vlerësuan progresin e arritur deri tani nga Shqipëria, por gjithashtu i bënë qejfin treshes që kundërshtonte hapjen, duke kërkuar më shumë rezultate.

Në dokumentin që përmbledh konkluzionet e kryediplomatëve të BE-së, e që do t’i dërgohet Samitit të udhëheqësve këtë të enjte, vlerësohet progresi i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe; më saktë reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Dokumenti thekson se Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme është dakord që të reagojë pozitivisht ndaj progresit të shënuar dhe harton një udhërrëfyes drejt hapjes së negociatave në qershor të vitit 2019.

Për këtë arsye, – thekson dokumenti, – Shqipëria ka nevojë kritike që të konsolidojë progresin në Reformën në Drejtësi, sidomos përmes vetingut, e po ashtu të sjellë rezultate të prekshme të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Rivlerësimi i prokurorëve dhe gjykatësve, si dhe krijimi i SPAK-ut e Zyrës Kombëtare të Hetimit janë mes pikave kryesore të përmendura në dokument. Veç luftës ndaj korrupsionit në nivele të larta, Këshilli kërkon gjithashtu që Shqipëria të pasojë sistematikisht me procese gjyqësore, operacionet e suksesshme të organeve ligjzbatuese.

Dokumneti thekson se dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, për reformat që kanë lidhje me BE-në, mbetet thelbësor për të çuar përpara axhendën europiane.

Për sa i takon Maqedonisë, Këshilli pati këshilla dhe sugjerime të ngjashme me ato të Shqipërisë, me disa diplomatë që theksuan se arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë nuk do të thotë se do të mbyllet një sy për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Rrugëtimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në këtë proces të integrimit me BE-në duket se po ecën me të njëjtën praktikë, që Brukseli ndoqi për Malin e Zi dhe Serbinë.

FOTO GALERI
1/28

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA