Gjyqtari që mbylli dosjen “Gërdeci”, Shkëlzen Selimi ka njohje të afërt me dy nga të pandehurit e tragjedisë.

Top Channel disponon ekskluzivisht të dhënat për udhëtimet e gjyqtarit “gjysmëmilion eurosh”, Shkëlzen Selimi, të regjistruara nga shteti në sistemin “TIMS”.

Këto udhëtime tregojnë se, 4 muaj pasi ka shpallur vendimin që shpëtoi nga burgu personazhet e tragjedisë së Gërdecit, Shkëlzen Selimi ka udhëtuar me makinën e gruas së njërit prej të akuzuarve kryesorë të tragjedisë jashtë vendit, disa herë.

Sistemi “TIMS” tregon se janë 13 udhëtime të Shkëlzen Selimit, në të cilat ai përdor automjetin “Mini Couper” me targa AA 653 GM. Makina është e regjistruar në emër të kompanisë “Park Construction”, e cila njihet në Tiranë për ndërtimin e një kompleksi pallatesh tek ish-Parku i Autobusëve, e që ka për administratore Vjollca Delijorgjin.

Ajo është bashkëshortja e Mihal Delijorgjit, i akuzuari kryesor për ngjarjen e Gërdecit, për të cilin Shkëlzen Selimi nuk e kaloi gjykimin në seancë të hapur, por e mbylli duke e shpëtuar nga një penalizim edhe më i rëndë.

Udhëtimet e gjyqtarit me automjetin e bashkëshortes së Delijorgjit janë të regjistruara në pikat kufitare Muriqan dhe Qafë Thanë, i pari në dhjetor të vitit 2013, pak muaj pasi dha vendimin për Gërdecin.

Më pas, me këtë makinë, Selimi ka kaluar më 7 shkurt të vitit 2014, e duket se ka kaluar një fundjavë në Maqedoni. Sërish më 31 maj të vitit 2014, më 18 tetor të atij viti, e më pas në maj të vitit 2015.

Në vitin 2016, makina e Delijorgjëve me Shkëlzen Selimin në bord del nga Murriqani disa herë e në fund nga Kapshtica. Udhëtimi i fundit me këtë mjet është më 30 shtator të vitit 2016. Më pas, çifti Selimi ka ndryshuar automjet.

A është dhënë në përdorim apo është dhuratë, kjo nuk dihet. Por sistemi “TIMS” ekspozon lidhjet e miqësitë e Shkëlzen Selimit edhe me një të pandehur tjetër, që fitoi prej tij në Gjykatën e Lartë. Në datën 8 maj 2015, gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka dalë në pikën e Kakavijës me makinën tip “Volkswagen” me targa AA 399 KF.

Ky mjet është në pronësi të të akuzuarit tjetër të Gërdecit, Dritan Minxolli, që deri më 15 mars 2008 ishte administrator i fabrikës së demontimit në Gërdec. Mpleksja e gjyqtarit Selimi me të dënuarit e ngjarjes së Gërdecit rrëzon përfundimisht çdo alibi për integritetin e tij, për sa kohë ligji parashikon dorëheqjen në çdo rast njohjeje me palët në gjykim.

Selimi, jo vetëm që nuk është dorëhequr, por pas një vendimi skandaloz shfaqet si përfitues i të mirave materiale të dy personave, për të cilët dha një vendim gjykate. Skandali është edhe më i thellë nisur edhe nga fakti që nuk u dha drejtësi për 26 viktima.

Me 14 udhëtimet, Shkëlzen Selimi, i cili në vend të makinës shtetërore ka zgjedhur të përdorë makinat e Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit, dy prej njerëzve që i shpëtoi me një vendim të beftë, tregoi sesa i kompromentuar është në punën e tij. Tashmë i mbetet organeve të vettingut për të verifikuar nëse, përveç përdorimit të makinës, Selimi ka kaluar pushimet i shoqëruar me Delijorgjin apo Minxollin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA