Luhen sot ndeshjet e fundit të grupeve C dhe D. Vëmendja më e madhe do të shkojë padyshim te sfida mes Nigerisë dhe Argjentinës së Messit që luan shansin e fundit për t’u kualifikuar.

E përfshirë në një vorbull polemikash dhe e rrethuar nga një ambient aspak i qetë, skuadra bardhekaltër do të duhet që të fitojë me çdo kusht ndaj skuadrës afrikane, ndërkohë që do të shpresojnë edhe në një humbje ose barazim të Islandës në sfidën me Kroacinë së cilës i duhet vetëm të sigurojë vendin e parë në Grupin D.

E vetmja skuadër që mund ta arrijë është Nigeria në rast se fiton me Argjentinën. Në këtë pikë vendimtar do të bëhet golavarazhi që është pikërisht në favor të kroatëve. Për sa u përket shanseve të Islandës, skuadra e Hallgrimson nëse mund Kroacinë do të shpresojë në një fitore ose barazim të Argjentinës.

Në rastin e parë do të ishte me pikë të barabarta me Argjentinën, në rastin e dytë barazimi i pikëve do të ishte me Nigerinë, por në të dy këto raste gjithçka do të vendosej nga golavarazhi.

Në Grupin C, Franca e kualifikuar do të luajë me Danimarkën dhe në lojë është vendi i parë në Grup. Blutë do të sigurojnë këtë pozicion në rast fitoreje ose barazimi. Danimarka me 1 barazim do të kualifikohej si e dytë e grupit, ndërsa në rast fitoreje do të ishte e para.

Në rast humbje Danimarka do të duhet të hedhë sytë nga sfida mes Australisë e Perusë, pasi skuadra nordike do të eliminohet nëse australianët arrijnë të fitojnë ndaj amerikanolatinët. Në këtë pikë Danimarka e Australia do të barazohen në pikë dhe e kualifikuara do përcaktohet nga golavarazhi.

Top Channel