“Toyota” me 4.5 mln euro, ndalohen drejtuesit e servisit që porositi makinat

25/06/2018 11:35

Një shumë e konsiderueshme në euro u sekuestrua mesditën e së dielës në portin detar të Durrësit.

Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve tip ”Toyota ” pa targa. Mjetet ishin pjese e nëntë makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës.

Burime policore bëjnë të ditur se tre të ndaluarit pas sekuestrimit të kësaj shume janë Edi (Eduart) Lika, pronari i subjektit transportues, djali i tij Klevis Lika, 19 vjeç qe shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim dhe shoferi i kamionit Agim Ceka.

Policia ende nuk ka dalë me një njoftim për ngjarjen. Subjekti Edi Lika është i licencuar për Auto Service në Tiranë dhe transport ndërkombëtar mjetesh për vete, të tretë dhe dhënie me qira.

Burime nga policia portuale fillimisht bënë të ditur se ishin mbi 4.5 milionë Euro. Mjetet nuk iu nënshtrua rastësisht kontrollit fizik në port pas zbarkimit nga trageti. Gjithçka erdhi pas një sinjalizimi paraprak të mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga zyra e Europol në Itali. Dyshohet se rasti është një tentativë për pastrim parash në vendin tonë.

Top Channel