Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl shprehet se duhet “dritë jeshile” nga Bashkimi Evropian për negociatat e pranimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Duke folur para takimit të Këshillit të Punëve të jashtme, Kneissl, thotë se kjo nuk është çështje bujarie, por çështje logjike, pasi ndaj dy vendeve ishin kushtet e caktuara të zgjidhjes së çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës, dhe reforma gjyqësore në Shqipëri.
“Patëm një mëngjes pune me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Në këndvështrimin tonë nuk është çështje bujarie, por logjike. Kemi vendosur disa standard për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kur kriteret janë plotësuar dhe çështja e emrit është zgjidhur atëherë mund të flasim për çelje bisedimesh. Ne duhet të vendosim në punë këtë mekanizëm për besueshmërinë tonë, dhe Federica Mogherini ka mbështetjen tonë në këtë drejtim”, është shprehur ministrja e jashtme Austriake.
Edhe kryeministri austriak Sebastian Kurz është shprehur më herët për “Die Presse” se duhet të çelen negociatat me Shqipërinë. “Dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt negociatat”, është shprehur Kurz në fund të majit.
Në korrik Austria merr drejtimin e Presidencës 6-mujore të radhës së Bashkimit Evropian.
Top Channel