Fiks Fare në emisionin e radhës solli me prova se si zvarriten hetimet në Prokurorinë e Sarandës.

Prokurori Sali Hasa akuzohet nga qytetari Lulzim Sino për zvarritje dhe njëanshmëri në hetimet e kryera për falsifikim dokumentacioni dhe përvetësim prone nëpërmjet mirëbesimit. Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë dhe e Apelit Gjirokastër rrëzon dy herë prokurorinë, pasi sipas tyre hetimet nuk janë bërë siç duhet. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, nga 2016 e deri më sot, kanë humbur jo vetëm gjurmët, por edhe provat dyshohen të kenë shkuar për skrap.

Lulëzim Sino nga Saranda ankohet në Fiks Fare pasi, sipas tij, prokurori Sali Hasa, në vend që të hetojë, po i zvarrit hetimet dhe e përplas Lulëzimin në gjykata, duke pushuar çështjet që ai duhet të hetonte.

Historia nisi në vitin 2016, kur Lulëzim Sino u largua në Greqi dhe i la në ruajtje shtetasit Dëfrim Abazi një automjet tip Range, të cilin e kishte blerë në Greqi në vitin 2008 për rreth 27 mijë euro. Kjo nuk ishte hera e parë që ia linte makinën në ruajtje këtij shtetasi. Pasi ish kthyer nga Greqia dhe i kish kërkuar makinën, Dëfrim Abazi mohon ta njohë Lulëzim Sinon dhe se ai nuk i kishte lënë asnjë makinë.

Në këto kushte, Lulëzim Sino i drejtohet Prokurorisë Sarandë. Prokurori i çështjes, Sali Hasa vendos për “Mosfillimin e proçedimit Penal”. Lulëzim Sino e ankimon në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë. Gjykata vendos që të prishë vendimin e prokurorit dhe e urdhëron atë që të rihetojë çështjen. Ky vendim u apelua nga prokurori në gjykatën e Apelit Gjirokastër. Por, edhe kjo gjykatë, pasi shqyrtoi çështjen, rrëzoi prokurorinë duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.

Gjatë kësaj kohe, Lulëzim Sino, në muajin korrik të vitit 2017, sheh në një lavazh në Sarandë një makinë për të cilën dyshoi të ishte makina e tij. Pasi bën denoncim në polici, kjo e fundit këqyr në vendngjarje makinën në bazë të të dhënave që pretendon Lulëzim Sino. Policia nuk e bllokon makinën, por ia lë në ruajtje atij që e kishte blerë me dokumente të rregullta. Edhe kjo çështje i kalon për hetim prokurorit Sali Hasa. Pavarësisht këmbënguljes se Lulëzim Sinës për kryerjen e një akti ekspertimi nga Tirana, apo futjen e makinës në kompjuter për shkak të të dhënave që ruhen në sistemin e saj, prokurori u mjaftua me këqyrjen e një tekniku të thjeshtë dhe çështja u pushua sërish.

Edhe këtë vendim të prokurorisë Lulzim Sina e ankimon në gjykatë, edhe këtë herë gjykata çmon se hetimet nuk janë zhvilluar siç duhet dhe urdhëron të hapen sërish. Ky vendim ankimohet nga prokurori sërish, por edhe Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

I gjendur para këtyre ecejakeve dhe përballjeve gjyqësore, Lulëzim Sino ka kërkuar që të ndërrohet prokurori, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh. Në këto kushte Lulëzim Sino i drejtohet Fiks Fare.

Fiksi u interesua pranë prokurorisë së rrethit Sarandë, ku pas një takimi që patëm me Kryeprokurorin Edison Ademi na u tha se prokurori i çështjes për arsye shëndetësore nuk ndodhet në punë. Pasi u informua për çështjen, Fiksit ju kthye një përgjigje me shkrim. Sipas kryeprokurorit, i cili bën vetëm një përmbledhje të hetimeve të kryera nga prokurori i çështjes, rezulton se Gjykata e Sarandës dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër kanë rrëzuar dy herë prokurorinë dhe kanë vendosur regjistrimin dhe rifillimin e hetimeve që janë në proces, nga i njëjti prokuror, Sali Hasa.

Makina si provë ka shkuar për skrap

A mund të verifikohet sot, nëse makina që gjeti Lulëzim Sino është makina e tij apo jo?
Fillimisht Fiksi u interesua pranë zyrës së doganës Sarandë, nga ku varet edhe dogana e Qafë Botit. Me anë të e mailit ata informuan se nga shqyrtimi i praktikës së zhdoganimit të automjetit me targa greke XAT 9280, rezultoi se procedurat e zhdoganimit janë kryer në përputhje me legjislacionin doganor.

Fiksi u u interesua edhe pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor, Sarandë, ku intervistoi përgjegjësin e zyrës së regjistrimit të targave. Ai pretendoi se kjo makinë, me targa AA180 është regjistruar fillimisht në këtë zyrë nga Silvana Cakalli më 23.04.2014. Ajo e ka regjistruar me dokumenta greke, dhe rezulton ta ketë patur këtë pronë që në shtetin grek.

Më 09.04.2015 ajo rezulton t’i jetë shitur për 2000 euro shtetasit Alfred Abazi. Ai ka regjistruar si pronë të tijën më 20.05.1015. Më 22.05.2015, 2 ditë më vonë i është shitur subjektit Sipas Tours për një vlerë 4000 euro. Sipas përgjegjësit, makina ishte e zeze dhe jo blu siç pretendonte Lulzim Sino. Pavarësisht se në disa foto dallohet që makina ka qenë blu. Por nëse i janë bërë ndryshime fizike, ato janë bërë që në Greqi. Sipas tij në 11.10.2017 subjekti Sipas tours, ka bërë çregjistrimin përfundimtar të kësaj makine për skrap.

Si përfundim, pavarësisht se çështja është në hetim nga prokuroria, ekspertizë e re nuk mund të kryhet pasi makina ka shkuar për skrap. Nga verifikimi që Fiksi bëri pranë zyrës së sigurimeve, makina është aksidentuar në zonën e Himarës rreth 1 muaj pas denoncimit të bërë në prokurori nga shtetasi Lulëzim Sino, si makina e vjedhur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA