Njeriu që e ka dominuar politiken turke për më shumë se një dekadë, fitoi zgjedhjet e një dite më parë, e jo vetëm çimentoi kështu pozitat e tij, por mund ta zgjeroje ndjeshëm pushtetin e vet
Rexhep Tajip Erdogan fitoi një mandat te ri 5 vjeçar pas triumfit që në raundin e parë. Mediat shtetërore thonë se Erdogani mori 53% nga 99% të votave të numëruara, ndërsa rivali i tij më i afërt, Muharrem Ince vetëm 31%. Opozita ende nuk e ka pranuar humbjen zyrtarisht, por thotë se pavarësisht të gjithave, do të vazhdoje luftën e saj demokratike.
Ajo ka hedhur hije dyshimi mbi rezultatet e paraqitur ne media dhe po pret ato përfundimtaret, që shpallen të premten. Prej vitesh të tera, këto konsiderohen zgjedhjet ku u luftua më ashpër dhe ato që do t’i japin Erdoganit fuqi të mëdha me presidencën e tij të re ekzekutive.
Kushtetuta e ndryshuar e vendit shkrin postin e kryeministrit dhe kompetencat e tij ia kalon Kreut të Shtetit. Ndryshimet u miratuan me referendum vitin e kaluar nga 51% e zgjedhësve dhe duhet të hyjnë në fuqi pas votimeve të së dielës.
Kritiket argumentojnë se në këtë mënyrë, do të ketë shume pushtet të përqendruar në duart e një personi të vetëm dhe se sistemit të ri turk i mungojnë elementet balancues e ato verifikues qe gjendet në presidenca të tjera ekzekutive si ajo e Francës apo të SHBA.
Në fjalimin e vet të fitores, Erdogani e bëri të qartë se cila do të jetë në vazhdimësi linja e tij: Goditja e grupeve terroriste dhe çlirimi i tokave siriane në mënyrë që emigrantët të nisin e të kthehen atje.
Fitorja e Erdoganit u festua me dalje ne rrugë, brohorima e pankarta në Prizrën, ndërsa një urim i përzemërt i erdhi atij nga presidenti Hashim Thaçi. Në sfondin e mosmarrëveshjeve të mëdha që shkaktoi në vend deportimi arbitrar i 6 shtetasve turq, Thaçi e përshëndeti në “Twitter” fitoren e Erdoganit duke përcjelle dëshirën për vazhdimësinë e bashkëpunimit të mirë mes Kosovës dhe Turqisë.
Top Channel