Greqia i ka dërguar një letër Këshillit Evropian dhe NATO-s për t’i njohur me marrëveshjen e arritur me Maqedoninë për emrin, të nënshkruar një javë më parë në Prespë.
Në letrën e saj Athina thekson se nuk do të kundërshtojë rrugën për integrimin evropian dhe euro-atlantik të Maqedonisë, çka është edhe përmbushje e pjesës së saj të obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja për zgjidhjen e përplasjes mbi emrin.
Në këshillin e BE-së për punë të përgjithshme në Luksemburg të hënën dhe të martën do të shqyrtohet fillimi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në BE dhe kjo është paralajmëruar më herët nga shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, i cili, nga ishulli Rodos, para gazetarëve, tha se letra do të dërgohej mëngjesin e të hënës drejt selisë së BE-së dhe në NATO-s.”Letrat janë përgatitur dy ditë më parë.
Zgjodha t’i nënshkruaj personalisht në Bruksel, të dielën, në mënyrë që të hënën në mëngjes të dorëzohen në zyrat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha Kocias.
Vendimi përfundimtar për fillim të negociatave për anëtarësimin në BE duhet të merret të enjten ose të premten, në takimin e shefave të shteteve dhe qeverive të anëtareve të Bashkimit Evropian.
Por, me Greqinë që thotë se po përmbush obligimet e saj, nga marrëveshja për emrin, duke shembur barrierën që deri më tani e kanë mbajtur Shkupin larg BE dhe NATO-s, marrëveshja për emrin është ende e pambyllur pasi në Maqedoni, presidenti Georgi Ivanov, vazhdon të refuzojë të firmosë dokumentin që i është përcjellë nga parlamenti javën e kaluar.
Top Channel