Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u takua të dielën në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut politik që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ka qenë një takim jo i lehtë, i vështirë, por me tone pozitive për të shikuar nga e ardhmja për interesin e të dyja vendeve. Jemi dakordësuar që procesi të marrë një dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme. Gjithashtu, kemi arritur në përfundimin se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të raporteve Kosovë-Serbi është në interesin e të dyja vendeve, paqes dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi Thaçi.

Sipas presidentit kosovar, nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve, atëherë të dyja palët do të humbasin shumë: “E di se me marrëveshje mund të fitojnë shumë të dyja palët, por edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje ne do të humbim shumë, sepse do të mbetemi vende të izoluara, pasi BE-ja as Kosovën dhe Serbinë nuk do ta pranojë me problemet që kanë, por vetëm me tejkalimin e këtyre problemeve”.

Takimi kishte si temë kryesore diksutimin mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy palëve. Në një njoftim të zyrës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini bisedimet cilësohen si intensive dhe produktive. Sipas saj, palët janë pajtuar për intensifikimin e punës në javët e ardhshme.

Bisedimet Prishtinë-Beograd, tashmë në nivelin e tyre më të lartë të përfaqësimit, kanë nisur me takime të nivelit teknik në vitin 2011.

Top Channel