Ish truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia duket se kërkon vetëm përballje me ish shefin e tij. Nuk do të kërkojmë dhe nuk do të pranojmë një pafajësi në tavolinë, por duam një proces gjyqësor ku të dëgjohemi dhe të paraqesim prova dhe fakte konkrete.

Kjo është strategjia juridike e Izet Haxhisë dhe avokatit të tij mbrojtës, pas dritës jeshile që i dha gjykata e Tiranës për të rishikuar vendimin që dënon me 25 vite burgim si një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e ish deputetit demokrat Azem Hajdarit.

“Ne do të kërkojmë që të bëhet një proces gjyqësor dhe të dëgjohemi dhe të shqyrtojmë të gjitha provat që kemi deklaruar, duke i provuar një nga një. Jo vetëm që do të bëhet kështu, por do të jetë edhe një leksion i mirë për drejtësinë. Secili që jep drejtësi duhet ta kuptojë se nuk mund t’i mbyllësh gojën tjetrit me një drejtësi pa prova”, deklaroi avokati i Haxhisë, Bashkim Nikolla.

Personi kryesor që Izet Haxhia ka sulmuar në deklaratet e tij, është ish kryeministri Sali Berisha. Po çfarë do të provojë ai, me dëshminë e Sali Berishës?

“Atë e di ai, për ato që do të thotë, por ne do të vazhdojmë hap pas hapi, duke provuar gjithçka”, deklaroi avokati Nikolla.

Prej dy ditësh avokati i Haxhisë ka në dorë dosjen voluminoze prej 702 fletësh për vrasjen e Azem Hajdarit dhe nga shqyrtimi i saj përveç shumë fakteve që sipas tij janë absurde, njërin prej tyre e deklaron për Top Channel.

“Në dosje është vendimi për sekuestrimin e ditarit të ish ministrit të Brendshëm, Perikli Teta. Por ditari nuk është. Çfarë ka pasur në atë ditar, ku ish ministri ka shkruar mbi autorët lëvizjet dhe dinamikën e ngjarje? Pse nuk është? Kush e fsheh?”, deklaroi avokati bashkim Nikolla.

Por a do të marrin vërtetë përgjigje këto dilema dhe a do të rigjykohet vërtetë vrasja e shekullit. Hapi i parë është hedhur, për të tjerët do të vazhdojmë të qëndrojmë me sy e veshë sërish nga drejtësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA