“Teatri nuk mund të restaurohet”; Arkitekti danez jep shpjegime

23/06/2018 19:54

Godina e vjetër e Teatrit Kombëtar nuk mund të rikonstruktohej pasi nuk kanë dimensionet fizike për të mbajtur audiencë të madhe, nuk kanë hapësira për skenat anësore, nuk kanë lartësinë mbiskenë dhe nuk kanë as nënskenë. Pra nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar. Kështu e shpjegon arkitekti Bjarke Ingels nevojën për ndërtimin e një ndërtese të re për Teatrin Kombëtar.

“Në fakt ne kemi rreth një vit që mendojmë dhe punojmë për këtë projekt. Në fillim punuam me dy skenarë: të përdornim hapësirat ekzistuese, ndërtimet e përkohshme që kanë qenë shtëpia e teatrit në dekadat e fundit apo të rifillonim me një ndërtim të ri. Dhe ajo që kuptuam shumë shpejt është se dy volumet e holla të godinave ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, janë ndërtuar si hapësira argëtimi për ushtarakët italianë dhe pastaj janë transformuar dhe përdorur si teatër. Ne e studiuam me shumë kujdes hapësirën dhe përdorimin e dy hapësirave ekzistuese, por ato janë shume të ngushta. Nuk ka gjeometrinë, hapësirën për të qenë Teatër Kombëtar”, tha arkitekti Bjarke Ingels.

I pyetur nga gazetaret në lidhje me protestën e artistëve, arkitekti danez Bjarke Ingels, që ka bërë dhe projektin e teatrit, thotë se është shumë mirë të diskutohet kur transformohen godina dhe hapësira publike.

“Mendoj se njerëzit e shqetësuar për të ardhmen e Teatrit Kombëtar do të kuptojnë se ajo që kemi projektuar për ta, është diçka që do t’i lejojë ata të krijojnë shfaqje, të tregojnë historitë kombëtare, historitë e kulturave të tjera, në një mënyrë shumë herë më të mirë, duke prekur një audiencë shumë herë më të madhe, se ajo që është e mundur sot. Dhe mendoj se më shume se pyetja a duhen mbajtur apo jo dy godinat e ndërtuara me qëllim argëtimin e ushtarakeve, pyetja është: A duhet të ketë qendra e Tiranes një Teatër të vërtetë Kombëtar, të projektuar dhe ndërtuar me qëllim që të jetë Teatër Kombëtar. Mendoj se për identitetin e qendrës së Tiranës, rilindja që është duke ndodhur në Tiranë, e cila është edhe arsyeja pse qyteti është sot në Barcelonë duke marre çmimin e parë për transformimin urban të Sheshit Skënderbej, përfaqëson një energji transformuese jashtëzakonisht pozitive”, shprehet ai.

Teatri kombëtar do të ndërtohet në kufij të Sheshit Skënderbej, një godinë që është e hapur ndaj hapësirave të tjera që e rrethojnë ku holli, restorantet, baret do të jenë të aksesueshme.

Top Channel