Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri ishin protagonistët absolutë të Zvicrës teksa i dhanë fitoren Zvicrës ndaj Serbisë që afron helvetët me 1/8 e finaleve.

Por përveç golave, ai i Xhakës ishte një spektakël, futbollistët e Zvicrës me origjinë kosovare ranë në sy për festimet e tyre me shqiponjën dy krenare që e shtuan frustrimin te Serbia.

Kjo e fundit nuk i ka fshehur pakënaqësitë në aspektin teknik, por ajo që lëndoi më shumë ka qenë pikërisht gjesti i dy futbollistëve.

Në median serbe festimi me shqiponjë është konsideruar provokim, ndërkohë që që Federata Serbe konfirmoi se kërkoi që FIFA të reagojë ndaj këtij xhesti.FIFA mesa duket e ka marrë parasysh një kërkesë të tillë dhe po mendon të ndëshkojë dy futbollistët shqiptarë të Zvicrës me gjobë ose skualifikim.

Edhe në kampin zviceran ka pasur reagime në lidhje me këtë festim të Xhakës e Shaqirit. “Nuk do të doja të flisja për festimin tim për golin e shënuar në minutën e 90, le të themi se isha shumë i emocionuar që shënova” – u shpreh vetë Xherdan Shaqiri pas ndeshjes, ndërkohë që nuk është prononcuar ende Granit Xhaka.

Ndërkaq, Xhaka e Shaqiri kanë gjetur dikë në skuadër që e ka miratuar veprimin e tyre  dhe bëhet fjalë për kapitenin e Zvicrës, Stefan Lichsteiner. “Xhaka e Shaqiri bënë shumë mirë, na provokonin prej ditësh. Për më tepër goditjet jepen dhe merren dhe ata nuk është se janë engjëj. Kishte presione e provokime kështu që për mua nuk është ky problem” – tha Lichsteiner për median italiane-serbët.

Më diplomatikë u shfaqën trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic dhe kolegu i tij i Serbisë, Mladen Krstajic. Petkoviç deklaroi se një futbollist në momentin e golit ndjen emocione të veçanta, por politika duhet lënë jashtë futbollit. Ndërsa Krstajic deklaroi se nuk ka asnjë koment për të bërë në lidhje me këtë çështje dhe se ai mendon vetëm për sportin dhe këtë do ta bëjë gjithmonë.

Top Channel