Pasi akuzoi publikisht shokët e skuadrës se nuk bënë mjaftueshëm në disfatën ndaj Meksikës, tani Mats Hummels do të detyrohet ta shohë kombëtaren gjermane si spektator.

Mbrojtësi i Bajernit të Mynihut nuk do të luajë në përballjen ndaj Suedisë të shtunën në mbrëmje, një sfidë e cila mund të sanksionojë dhe eliminimin e bujshëm të kampionëve në fuqi të botës, që në fazën e grupeve.

“Mats Hummels nuk do të mund të luajë të shtunën pasi ka dëmtuar vertebrat e qafës dhe gjendja e tij fizike nuk është përmirësuar. Kemi ende kohë gjithsesi për ta parë sesi do të shkojë por kur verifikohen probleme të tilla, nuk zgjidhen brenda një nate. Na duhen futbollistë të mirë në luftën ajrore. Kam një ide, një plan për ndeshjen ndaj Suedisë”, tha Joachim Low.

Por Hummels, me anë të një postimi në “Twitter”, shkruan se ka ende shpresë. “Kjo nuk është një ndeshje për t’u parë, por për të qenë në fushë”, ka shkruar Hummels.

Gjermania mund të eliminohet nëse do të vuajë humbjen e dytë në grupin F, kjo edhe nëse kombinohet me sfidën e Meksikës ndaj Koresë së Jugut. Të gjithë lojtarët e tjerë janë të disponueshëm. Suedia nuk arrin të fitojë ndaj Gjermanisë në 40 vitet e fundit por këtë herë përballet me kritika për lojën e saj aspak efikase.

Top Channel