Haradinaj: Investimi në energji alternative, punë e dobishme për Kosovën

22/06/2018 23:02

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e fluturakeve të para për prodhimin e energjisë elektrike me erë, të cilat po bëhen nga kompania turke “Air Energy” në fshatin Kikë të Komunës së Kamenicës, që ndodhet në pjesën lindore të Kosovës.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se kryeministri Haradinaj gjatë përurimit ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është për t’u njohur për së afërmi me përparimet që kanë ndodhur në investimet e energjisë me erë.

“Investimi në energji alternative është punë e dobishme për Kosovën”, është shprehur Haradinaj, i cili ka thënë se është i bindur se institucionet e Kosovës do të jenë partnere korrekte për investitorët.

Ai gjatë përurimit ka falënderuar kompaninë “Air Energy”, e cila sipas tij ka sjell një teknologji shumë të re dhe të avancuar duke zgjedhur Kosovën për të investuar.

Përfaqësuesi nga Turqia i kompanisë “Air Energy”, Musfik Hamdi Yamanturk, ka thënë se kjo kompani ekziston që 61 vite dhe projekti këtu është ndër projektet e para jashtë Turqisë, përveç një tjetër që është në Ukrainë.

“Shpresojmë shumë edhe në investime të tjera të kësaj natyre”, ka thënë Yamanturk.

Ndërkaq, Sait Vokshi, bashkë-investitor në këtë projekt, ka thënë se janë të kënaqur me punën që është bërë, duke shpresuar në përkrahjen e Qeverisë së Kosovës edhe në shumë projekte të tjera të kësaj kompanie.

Kryeministri Haradinaj pas vizitës që i bëri trafostacionit dhe turbinave të erës, zhvilloi një takim me bashkë investitorët, nga të cilët u njoftua rreth investimit në këtë sektor mjaft të rëndësishëm për Kosovën.

Top Channel