Hakmarrja tregtare e BE-së ndaj SHBA: A e përballon Amerika luftën me të gjithë?

22/06/2018 12:08

Tarifat shpaguese të Bashkimit Europian ndaj mallrave amerikane hynë në fuqi këtë të premte. Sulmi më i fundit ky ndaj politikës tregtare të Donald Trumpit.

Taksat prekin artikuj me vlerë të përgjithshme 2.8 miliardë euro, duke shënjestruar edhe produkte të rëndësishme për SHBA-të si uiski, motoçikletat dhe lëngu i portokallit.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker kujtoi sesi ishte Amerika, ajo që vendosi e para tarifat e reja që binin ndesh – sipas tij, – me logjikën dhe historinë.

Pas Turqisë të enjten, edhe India vuri taksa mbi 29 produkte të importuara nga Shtetet e Bashkuara, përfshire disa mallra bujqësore dhe të tjera prej alumini e çeliku.

Tarifat e saj hyjnë në fuqi nga 4 gushti e godasin sidomos eksportet e bajameve. India është blerësi më i madh i bajameve amerikane në botë, ndaj kjo lëvizje pritet të rëndojë ndjeshëm mbi fermerët amerikanë.

Donald Trump e bëri realitet kërcënimin e tij, duke përfshirë nga 1 qershori edhe BE-në në tarifat e reja amerikane, e lista e tij u zgjat veç të tjerash edhe me Kanadanë e Meksikën. Por, kundërpërgjigjet që po merr nga të gjitha anët bëjnë të lindë pyetja: A e përballon dot vërtet Amerika luftën tregtare me të gjithë?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA