Ndjenjat kundër emigracionit po ngrenë krye edhe në Suedi, ku partia e ekstremit të djathtë “Demokratët Suedezë” kërkon mbajtjen e një referendumi të ngjashëm me atë të “Brexit”-it.
“Njerëzve duhet t’u jepet e drejta që të shprehin ndjenjat e tyre ndaj Bashkimit Europian”, deklaroi udhëheqësi i kësaj force politike, Jimmie Åkesson.
BE-në, ai e quajti një rrjet masiv korrupsioni, e shtoi se askush brenda bllokut nuk ka kontroll mbi asgjë.
Kërkesa e Åkesson është që Stockholmit t’i kthehet sovraniteti dhe pushteti mbi fondet.
“Ne paguajmë shuma gjigante parash dhe marrim mbrapsht fare pak”, ishte argumenti i kreut euroskeptik, duke theksuar se pas gjithë kësaj ka dhe një arsye idelogjike.
I ashpër në komentet e tij, Åkesson thotë se Suedia nuk duhet të qëndrojë në një union ideologjik, e pretendon se gropa që do të lërë “Brexit” në buxhet do ta detyrojë vendin të paguajë edhe më shumë.
Kjo nuk është hera e parë që një politikan suedez apelon për një referendum mbi qëndrimin ose jo në BE. Ligjvënësi Peter Lundgren profetizoi një vit më parë daljen e Suedisë nga bllokut europian.
Në muajin shtator, vendi mban zgjedhjet e përgjithshme dhe sondazhet e fundit nxjerrin “Demokratët Suedezë” si partinë e dytë më të madhe, nga e treta që është aktualisht.
Top Channel