Kritika ndërkombëtare ndaj politikës amerikane mbi emigrantët

21/06/2018 04:37

Reagimi ndërkombëtar po ashpërsohet kundër politikës amerikane të ndarjes së familjeve të emigrantëve në kufijtë e saj.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se mbajtja e fëmijëve në ato që ngjasojnë me kafaz, është shumë shqetësuese dhe e gabuar. Papa Françesku, tha se ai mbështet peshkopët katolikë amerikanë, që e cilësuan atë që po ndodh, të pamoralshme.

Pamje të dhjetëra fëmijëve, që flinin në kafaz dhe audio të fëmijëve që qanin për prindërit e tyre, janë publikuar ditët e fundit, duke ndezur një valë kritikash. E gjithë kjo ndodh pas një operacioni me tolerancë zero ndaj emigracionit të paligjshëm, të iniciuar nga prokurori i përgjithshëm Jeff Sessions.

Zyrtarët amerikanë të emigracionit thonë se 2342 fëmijë janë ndarë nga 2206 prindër mes 5 majit dhe 9 qershorit. Bebet dhe të miturit dërgohen në qendra të menaxhuara nga departamenti i shëndetit, pasi ndahen nga prindërit e tyre.

Mjekët dhe avokatët që kanë vizituar qendrat, kanë rrëfyer se të miturit nuk reshtin së qari. Në të vërtetë, Trump nuk e ka ndryshuar ligjin e emigracionit, por ka ndryshuar mënyrën e implementimit. Sipas politikës së tolerancës zero, të gjithë ata që kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin, akuzoheshin për krim dhe arrestoheshin menjëherë.

Meqenëse fëmijët nuk mund të burgosen bashkë me prindërit, ata mbahen në qendra të posaçme. Kongresi i kontrolluar nga republikanët, është nën presion për ta bërë presidentin Trump të ndryshojë politikën e tij. Kreu i dhomës së përfaqësuesve, Paul Ryan, tha se një votim për ligjin mbi emigracionin, që do ti mbajë familjet bashkë, do të mbahet të enjten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA