Përmes një vendimi të papritur, qeveria ka miratuar një tjetër koncesion në fushën e naftës, këtë herë për kontrollin e pompave të karburanteve. Procedura, e cila aktualisht kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do t’i kalojë një kompanie private për një periudhë 20-vjeçare.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave, përveç koncesionit ka miratuar edhe bonusin me 10 për qind të pikëve për kompaninë private që ka propozuar koncesionin, një shoqëri e quajtur “Noa Control”.
Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Noa Control” është një kompani e krijuar në prill të vitit 2015. Kjo kompani, e cila është edhe propozuesja e koncesionit, do të hyjë e avantazhuar në tender, pasi qeveria i ka dhënë sakaq bonusin prej 10 pikësh.
Por, çfarë është koncesioni i koalidimit të pompave të karburanteve? Sipas ligjit shqiptar, çdo pompë në stacionet e karburanteve koalidohet një herë në 6 muaj, për të verifikuar volumin, por edhe elementët e sigurisë. Ky shërbim, i cili aktualisht kryhet nga shteti, kushton 7 mijë e 200 lekë për çdo pompë që kontrollohet.
Burime nga Ministria e Financave i thanë Top Channel se, në total ky aktivitet gjeneron 2 deri në 3 milionë euro të ardhura në vit. Në total, për 20 vitet e parashikuara të kontratës, ky koncesion pritet të gjenerojë rreth 50 milionë euro të ardhura, të cilat tani do t’i kalojnë privatit. Ky është koncesioni i dytë në fushën e karburanteve, pas atij të markimit, kostot e të cilëve rëndojnë mbi qytetarët në çmimin e naftës.
Por, koncesioni i pompave nuk është i vetmi që qeveria dha në mbledhjen e fundit. Paralelisht, ajo miratoi edhe koncesionin për ndërtimin e rrugës Orikum-Dukat, një vepër me vlerë 70 milionë euro, pjesë e programit 1 miliardë euro.
Sipas vendimit, bonusi për ndërtimin e kësaj rruge i është dhënë shoqërisë “Gjikuria”, e cila do ta ndërtojë me fondet e veta, e më pas do të shlyhet me këste nga buxheti i shtetit për 13 vite.
Top Channel