I akuzuari kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit, e njëkohësisht i dënuar në mungesë me 25 vite burg, tashmë me t’u rikthyer nga Turqia duket se ka arritur fitoren e parë.
“Në këto kushte Gjykata në themel të këtij gjykimi vendosi: Rivendosjen në afat në favor të kërkuesit Izet Haxhia të drejtën e apelimit, kundër vendimit të Gjykatës Tiranë të datës 29.04.2002”, u shpreh gjyqtar Besnik Hoxha teksa lexoi vendimin.
Me anë të këtij vendimi, Izet Haxhia pritet të realizojë qëllimin e ekstradimit të tij në Shqipëri, të flasë përpara drejtësisë për vrasjen e ish-deputetit demokrat, për të cilin është akuzuar si një nga vrasësit.
Gjate seancës për të rifituar të drejtën e ankimit, Haxhia ka deklaruar disa herë se ishte dëshmitar i disa ngjarjeve kriminale, të cilat mund t’i djegin Berishës, duke e kërkuar atë që të ballafaqohej para drejtësisë.
Ndërsa në seancë e sotme përpara vendimit deklaroi se Berisha kishte paguar 1 milionë euro grupeve të drogës në Turqi që ta eliminonin. Por çfarë do të thotë ky vendim, avokati i Haxhisë jep këtë sqarim dhe njëkohësisht apel për disa politikane.
“Ky vendim hap siparin që ne të dëgjohemi për një dënim që na është dhënë padrejtësisht me një dosje skandaloze. Janë thirrur 21 politikanë që të dëshmojnë dhe asnjë nuk ka begenisur të vijë. Ne do të thërrasim të gjithë ata që të dëshmojnë. Unë besoj se politikanët janë të interesuar të dinë të vërtetën për Azem Hajdarin. Nëse deri dje nuk kane patur kohe, le të vijnë edhe ta bëjnë nesër”, u shpreh avokati Bashkim Nikolla
Top Channel