Komisionerja për Drejtësinë në KE, Vera Jourova e quan reformën në drejtësi si një ngjarje historike për Shqipërinë në një takim me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj në Bruksel.

“Komisionerja Jourova i konsideroi përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë si mbresëlënëse dhe shprehu bindjen që Reforma në Drejtësi do të mbetet një ngjarje historike në zhvillimin e Shqipërisë. Ajo e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e Komisionit Europian në zbatimin e Reformës, si dhe e inkurajoi atë për të ecur me ritme sa më të shpejta në këtë drejtim”, njofton ministria e Drejtësisë.

Ministrja Gjonaj në përgjigje të interesimit të Komisioneres, foli gjerësisht për mënyrën se si institucionet e reja të drejtësisë do të jenë të pavaruranga ndikimi i politikës, kjo si rezultat i mekanizmave të ngritura, që garantojnë pavarësinë e organeve të reja.

Jourova do të jetë te takimi i ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm të vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit në datat 4-5 tetor të këtij viti, i cili këtë herë do të mbahet në Tiranë. Kjo si shprehje e vlerësimit të progresit të arritur nga Shqipëria deri tani dhe rëndësisë që ka forcimi i shtetit të së drejtës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Takimi i ministrave në tetor dhe vizita e Komisioneres Jurova do të shërbejë edhe si një mundësi e mirë, për nënshkrimin të marrëveshjes së bashkëpunimit me EUROJUST, me qëllim forcimin e përpjekjeve të autoriteteve Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA