Për 5 vite kanë kërkuar azil 157 mijë shqiptarë, renditemi pas vendeve të luftës

19/06/2018 08:58

Shqipëria është shteti i shtatë në rang botëror për numrin e azilkërkuesve, duke u renditur pas shteteve të luftës. Që nga viti 2013, janë rreth 157 mijë shqiptarë që kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-tën, me rreth 69 mijë persona.

Të dhënat bëhen të ditura në Raportin vjetor të situatës së azilantëve, të sapopublikuar nga BE. Raporti i referohet periudhës 1 janar-31 dhjetor 2017.

Sipas analizës së revistës Monitor, edhe pse me normën më të ulët të pranimeve dhe numrin më të lartë të tërheqjeve nga procedura, Shqipëria vijon të renditet në 10 shtetet me numrin më të lartë të azil kërkuesve (4% e totalit). Bazuar në të dhënat e raportit në 2017-n 10% e aplikantëve ishin tërhequr nga kërkesa e tyre, ndërsa norma e pranimit vijon të mbetet ndër më të ulëtat.

Nisur nga kriteret e forta për pranimin e kërkesës për azil pjesa më e madhe e azilkërkuesve shqiptar heqin dorë nga procedurat e azilit. Franca, Luksemburgu dhe Norvegjia kanë përqindjen më të lartë.

Referuar raportit vjetor që prej 2013-s, Siria, Iraku dhe Afganistani janë tre shtetet kryesore të origjinës së aplikantëve për azil. Afërisht 15% e të gjithë azilkërkuesve ishin me origjinë nga Siria, me Irakun të renditur të dytin dhe Afganistanin të tretin, ku secili përfaqësonte rreth 7% të origjinës së azilkërkuesve në BE. Këto vende ndiqeshin nga Nigeria, Pakistani, Eritrea, Shqipëria, Bangladeshi, Guinea dhe Irani.

Në raport thuhet se vendet me normë më të ulët të pranimit të kërkesës për azil janë vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova apo Serbia.

Në 2017-n, 29% e pranimeve të kërkesave të azilkërkuesve në Francë iu dhanë shtetasve shqiptarë, një vend që ka një normë shumë të ulët të pranimit të kërkesave të përgjithësi.

Shqipëria vijon të listohet në top 10 vendet me numrin më të lartë të aplikantëve për azil në Bashkimin Europian, ku sipas të dhënave 4% e azilkërkuesve ishin me origjinë nga Shqipëria. Megjithatë numri i aplikantëve për herë të parë ka ardhur në rënie. Në 2016-n sipas raportit numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 32985, ndërsa në 2017-n numri i aplikantëve shënoi 26060. Shqiptarët u renditën të shtatë pas vendeve ku konfliktet civile vijojnë.

Shtete me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria, si Rusia dhe Turqia kishin rreth 16-17 mijë aplikime në 2017-n. Serbia kishte 8305 aplikime, Kosova rreth 7600 dhe Maqedonia rreth 6900

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA