Fiks Fare/ Skandali i “helmimit” të 24 punonjësve, fasoneria rifillon punën pa dalë analizat

19/06/2018 20:28

Rihapet kompania ku u “helmuan” 24 punonjëse pa dal përgjigja përfundimtare e institucioneve. ISHP vendos të bëjë matjet brenda ambienteve të fasonerisë, por pajisja papritur prishet dhe gjysmën e ditëve nuk punon.

Më 26 maj, në kompaninë “Lovers Albania” , e cila futet në bizneset fason që merret me qepjen e rrobave ushtarake , iu drejtuan urgjencës së Durrësit 24 punonjëse të ” helmuara” , e më pas janë dërguar për mjekim të specializuar në QSUT Tiranë.

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror ishte institucioni i parë që shkoi në vendngjarje duke vendosur pezullimin e punës për 5 ditë. Në krye të 5 ditëve, puna nisë normalisht pranë “Lovers Albania”. Në Fiks Fare erdhi një tjetër denoncim nga vetë punonjëset se kompania ka rifilluar punën, edhe pse disa prej tyre vazhdonin të ishin të shtruara në spital.

Fiksi shkoi menjëherë në vendngjarje, për të parë situatën nga afër dhe gjeti derën e kompanisë në formë grilë të hapur. Fiksi kërkoi nga përgjegjësja një prononcim, por jo vetëm që nuk morri asnjë përgjigje, por dera e kompanisë u mbyll menjëherë. Përgjigja e përgjegjëses ishte ” na lini një numër kontakti dhe kur të kemi diçka për t’ju thënë do t’ju lajmërojmë”.

Fiks Fare iu drejtua institucioneve si Inspektorati i Punës Durrës dhe ISHSH Durrës për rifillimin e punës në kompaninë “Lovers Albania”. Nga të dyja institucionet , përgjigjet që morën gazetarët e Fiksit nuk e shpjegonin çështjen e rifillimit të punës.

Në komunikimin me telefon që Fiksi pati me drejtoreshën e Inspektoratit të Punës, Silvana Maksuti tha se “grupi i saj ishte në një inspektim në Durrës dhe se nuk kishte dijeni për rifillimin e punës në kompaninë ” Lovers Albania” .

Në ISHSH Durrës, juristja e këtij institucioni i komunikoi Fiksit se drejtoresha ishte në një mbledhje në Tiranë, por nga ana tjetër vetë drejtoresha e ISHSH Durrës me një “sms” dërguar gazetares shkruante se “Jam në një inspektim në Krujë, dhe nuk e di se kur kthehem. Për një përgjigje më të shpejtë mund t’i drejtoheni Inspektoratit Qendror”.

Pas kësaj gazetarët iu drejtuan Institutit të Shëndetit Publik për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë në atë fabrikë. Elida Mata, Shefe e Seksionin të Epidemiologjisë shprehet se ISHP ka bërë një inspektim 4 ditë pas ngjarjes, se atëherë është njoftuar zyrtarisht për ngjarjen. Nga inspektimi i bërë sipas ISHP rezultoi se treguesit e ajrit, temperatura dhe lagështira brenda fasonerisë ishin brenda normave.

Por Mataj sqaroi se kompanisë “Lover Albania” i është lënë porosi nga ky institucion të ndryshojë sistemin e kondicionimit. Pyetjes se pse kjo fasoneri kishte rifilluar punë pa dalë në një konkluzion institucionet, Mataj sqaron se ISHP nuk është në dijeni të rifillimit të punës. Madje ajo falenderon Fiks Fare që e vunë në dijeni dhe shton se do të nisi sërish një grup inspektimi kur të ketë edhe punonjës në fasoneri.

Gazetarët e Fiksit për një informacion me të detajuar iu drejtuan edhe Inspektorati Shëndetësor në Tiranë. Në ISHSH asnjë nuk donte të jepte intervistë , por një specialiste në një bisedë pohon se vendimi i pezullimit për 5 ditë të kompanisë “Lovers Albania” , është marr brenda ligjit , pasi ky i fundit aq e parashikon masën e ndërmjetme. Kjo masë është përkohësisht derisa ISHP dhe reparti i Toksikologjisë të dalin me një përgjigje përfundimtare të analizave.

Pas vënies në dijeni të ISHP nga Fiks Fare , grupin e inspektimit e shoqëroi edhe kamera e Fiksit, e cila nuk u la të xhironte në ambientet e brendshme të fasonerisë. Grupi i inspektimit të ISHP vendosi një aparat matës të elementëve të ajrit minutë pas minute për 5 ditë më radhë. Po këtë ditë brenda fasonerisë bashkëpunëtorja e Fiksit ka kapur një bisedë , ku përgjegjësja paralajmëron punonjëset e kompanisë se po vijnë për një kontroll dhe do të jetë i pranishëm edhe Top Channel. Punonjëset të cilat janë ndjerë keq ajo u kërkon të dalin e të japin intervistë , ku të ndryshojnë deklaratën që kanë dhënë ditën e ngjarjes. Ajo paracakton se kush do të japë intervistë dhe se çfarë duhet të thonë para kamerës. Dhe në të vërtet punonjëset që u caktuan nga përgjegjësja për intervistë u shprehën se kushtet e punës në këtë kompani janë shumë të mira, por ato u ndjen keq vetëm se panë shoqet e tyre që u ra të fikët.

Fasoneria në borderonë e saj ka edhe një mjeke të cilën gazetarët e Fiksit e intervistuan. Ajo u shpreh se ditën që ka ndodhur ngjarja ajo nuk ka qenë e pranishme, pasi punon part- time në kompani. E pyetur nga gazetarët për rastin e punonjëses e cila u ndje keq një ditë pas rihapjes së fasonerisë , mjekja shprehet se ajo është ndjerë keq pas konsumimit të drekës, kështu që ajo dyshon për një helmim nga ushqimi. Për të vetëtuar atë çka tha mjekja e kompanisë gazetarët iu drejtuan spitalit të Durrësit, ku zv. drejtori i spitalit pohoi se zonja ka ardhur me urgjencë në spital me dhimbje stomaku. Ajo ka marrë mjekimin dhe është larguar në gjendje të përmirësuar , por pa përmendur helmim nga ushqimi.
Në këto kushte gazetarët iu drejtuan sërish Inspektoratit të Punës në Durrës , drejtoresha e institucionit pohoi se kjo fasoneri ishte inspektuar për herë të parë në vitin 2017.

“Nga ky inspektim i kërkuam kompanisë të ngrinte këshillin e sigurisë, të cilën kompania e ka përmbushur. Ditën që ka ndodhur ngjarja inspektorët kanë qenë të pranishëm dhe pas 30 ditësh inspektim ne mund të dalim me një përgjigje”, shprehet Silvana Maksuti. Pyetjes së gazetarëve se pse nuk ishte bërë një tjetër inspektim që nga viti 2017 drejtoresha shprehet se ligjërisht nuk duhet të bëjnë riinspektime.

Për të gjetur përgjigjen që ende institucionet nuk e japin Fiksi iu drejtua edhe një herë ISHP për të marrë rezultatin e aparaturës që u vendos në fasoneri me kërkesë të Fiks Fare. Institucioni u vuri në dispozicion gazetarëve një shkresë, ku thuhej se ishte planifikuar matja e ajrit nga datat 5 deri në 9 maj, por kjo aparaturë punoi vetëm 2 ditë nga 5. Në datat 8 dhe 9 aparatura nuk kishte punuar dhe nuk dihej arsyeja. Vetëm në dy ditën që aparatura punoi vihet re një temperaturë e lartë ambientale brenda fasonerisë. Kështu që në këto kushte ku aparatura nuk punoi, ISHP e pa të arsyeshme që kompanisë ku 24 punonjëse u ndjen keq dhe u shtruan në spital e disa prej të cilave në gjendje të rëndë, t’ i lë rekomandimin qe të instalohet vetëm një sistem kondicionimi.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA